Lidhje

Vdes ish-diktatori haitian Jean-Claude Duvalier


Ish-diktatori haitian, Jean-Claude Duvalier vdiq të shtunën nga një infarkt. Ai ishte 63 vjeç. Avokati i zotit Duvalier tha se ai vdiq në një rezidencë private në kryeqytetin e vendit, Port-au-Prince.

Në vitin 1971, zoti Duvalier u bë një nga udhëheqësit më të rinj të botës, në moshën 19-vjeçare, pas vdekjes së të atit, François "Papa Doc" Duvalier. François Duvalier, një mjek i shndërruar në politikan, e sundoi Haitin që nga viti 1957.

Ashtu sikurse i ati, Duvalier i riu e sundoi vendin me grusht të hekurt, duke vendosur pushtetin e tij me ndihmën e milicisë "Tonton Macoutes" një forcë e policisë sekrete, nga e cila kishin frikë njerëzit dhe që fajësohet për qindra vdekje dhe zhdukjen e njerëzve.

Jean-Claude Duvalier, i cili e quajti veten "president për jetë", u rrëzua nga pushteti nga kryengritja popullore e vitit 1986.

Ai shkoi në mërgim në Francë, ku jetoi derisa u kthye, për habinë e të gjithëve, në Haiti, në fillim të vitit 2011. Me t'u kthyer në atdhe, ndaj tij u ngritën akuza për korrupsion, mashtrime dhe abuzime të tjera me pushtetin gjatë 15 vjetëve të sundimit të tij brutal.

Disa haitianë ngritën ndaj tij aktpadi, duke e akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut. Kritikët e akuzuan zotin Duvalier dhe familjen e tij për një jetë në lluks, ndërsa pati bëri shumë pak për lehtësimin e varfërisë dhe analfabetizmit në Haiti. Ai po ashtu u akuzua për vjedhjen e miliona dollarëve nga fondet publike.

Pasi u kthye në Haiti, zoti Duvalier tha se ndjehej tepër i dëshpëruar për faktin, që haitianët thanë se kishin qenë viktima të sundimit të tij 15-vjeçar. Ai tha gjithashtu, se ishte kthyer në atdhe për të shprehur solidaritetin e tij në një periudhë të vështirë për vendin, ndërsa përpiqej të rimëkëmbej nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2010. Haiti është vendi më i varfër i Hemisferës Perëndimore.

Në janar të vitit 2012, një këshilltar i posaçëm i grupit Amnesty International tha se krimet kundër njerëzimit të kryera në vitet kur zoti Duvalier ishte në pushte, kishin mbetur të pandëshkuara.

Javier Zuniga po ashtu tha se autoritetet haitiane nuk kishin bërë përpjekje serioze për t'i bërë një rivlerësim ngjarjeve, që i kishin shkaktuar një brezi të tërë haitianësh tortura, zhdukje të detyruara, ekzekutime pa gjyq, arrestime arbitrare dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG