Lidhje

Dy amerikanë dhe një britanik nderohen me çmimin Nobel për ekonominë

  • KEVIN BILLINGHURST

Dy amerikanë dhe një britanik nderohen me çmimin Nobel për ekonominë

Dy amerikanë dhe një britanik nderohen me çmimin Nobel për ekonominë

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencës vlerësoi me çmimin Nobel Peter Diamond të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, Dale Mortensen nga Universiteti Northwestern dhe Kristofer Pisarides nga Shkolla e Ekonomisë në Londër. Akademia e kishte formuluar çmimin me këtë motivacion: "për ndihmesën që na kanë dhënë të gjithëve për të kuptuar mënyrat me të cilat papunësia, vendet e lira të punës dhe paga janë ndikuar nga rregullat dhe politika ekonomike".

Teoria e tyre shpjegon probleme të tilla se si papunësia e lartë mund të shoqërohet me numër të lartë të vendeve të hapura të punës. Puna e tre laureatëve të Çmimit Nobel, duket sikur analizon ato që duken si kontradikta, se si rritja e prodhimit, rendimenti ekonmik për njësi pune, mund të shpjerë në pakësimin e papunësisë. Profesori Mats Pirson, një pjestar i akademisë, thotë:

“Kontradikta që shpjegon kjo teori ekziston në botën reale. Nuk ka se çfarë të bëhet rreth këtyre mosmarrëveshjeve, ato kanë të pranishme. Ato tregojnë se tregu nuk funksionon si një treg i përsosur konkurrence. Është shumë më e komplikuar se kaq, madje edhe më e çuditshme. Për shembull, ka burime të pashfrytëzuara, ose mallra konsumi që nuk shiten, në kohën kur ka kërkesë nga konsumatori pikërisht për këto produkte; dhe në tregun e punës ka papunësi në të njëjtën kohë kur ka vende të lira pune”.

I kontaktuar me telefon në zyrën e tij në Shkollën Ekonomike të Londrës, Kristofer Pisarides tha se kërkimi i tij ka qartësuar praktikën që duhet të ndjekin ligjvënësit, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me papunësi të lartë si në Europë ashtu edhe në Amerikën e Veriut.

" Ajo që ne duhet të bëjmë është të sigurojmë se të papunët nuk do të mbeten për një kohë të gjatë pa punë. Duhet të përpiqemi që t’u japim atyre një përvojë direkte pune, jo domosdoshmërisht trajnime të shtrenjta për punë, por përvojë të drejtpërdrejtë pune, çka i mban ata të lidhur me forcën punëtore. Eventualisht ata do të gjejnë punë të rregullta”.

Një prej fituesve, profesori 70 vjeçar Peter Diamond i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, i ka dhënë mësim dikur Ben Bernankes, aktualisht kreu i Bordit të Rezervës Federale Amerikane, dhe është përzgjedhur si kandidaturë nga Presidenti Barak Obama për një vend në bordin e guvernatorëve të Rezervës Federale. Kjo kandidaturë është bllokuar që nga muaji prill nga republikanët në Senat.

Çmimi për ekonominë nuk ka qenë mes 5 çmimeve të specifikuara në testamentin e Alfred Nobelit në vitin 1895. I themeluar nga Banka Qendrore Risbanken në Suedi, në vitin 1968, çmimi shoqërohet nga e njëjta shumë prej 1.3 milionë dollarësh sikurse dhe çmimet e tjera Nobel në mjeksi, kimi, fizikë, letërsi dhe paqe. Të gjithë fituesit e çmimeve Nobel janë të ftuar në Stokholm dhe Oslo të Norvegjisë për një ceremoni zyrtare që zhvillohet në muajin dhjetor.

XS
SM
MD
LG