Lidhje

Dy përvoja të ndryshme jete, një qëllim i përbashkët

  • Amra Alijresovic

Dy përvoja të ndryshme jete, një qëllim i përbashkët

Dy përvoja të ndryshme jete, një qëllim i përbashkët

Ato janë dy gra të reja nga zona të ndryshme të botës. Njëra prej tyre refugjate nga Laosi dhe tjetra amerikane me një fëmijëri të vështirë. Por ato kanë patur emocione të ngjashme dashurie, humbjeje dhe ngritjeje që duan ta ndajnë me të tjerët. Autoret Misti Bërmajster dhe Mali Ponpadi po promovojnë librat e tyre “Hidden Heroes” dhe “A Million Fireflies”, një përpjekje e përbashkët për të ndarë me të tjerët ndjenjat e tyre dhe për t’i ndihmuar të njohin vlerat e tyre në shërbim të komunitetit.

Mali Ponpadi dhe Misti Bërmajster kanë patur përvoja të ndryshme në jetë, por ato u takuan nëpërmjet një miku (mikeje) të përbashkët dhe filluan të formonin miqësinë e tyre disa vjet më vonë.

Mali Ponpadi u lind në Laos gjatë Luftës së Vietnamit. Familja e saj u largua përmes Lumit Mekong në mes të një nate dhe shkoi në një kamp refugjatësh në Tajlandë dhe më në fund u vendos në Shtetet e Bashkuara. Por në këtë vend ajo humbi të fejuarin, i cili u mbyt dhe të atin që i vdiq nga kanceri. Titulli i librit “A Million Fireflies”, “Një milion xixëllonja” përmban kujtimet e saj të fëmijërisë, është një prozë poetike që zbulon ndjenjat e saj më të thella.

"E kuptova më në fund se duhet t’i lija të lira gjithçka kisha grumbulluar brenda meje, emocionet, thimbjen, frikën. Kishte ardhur koha që t’i lija të lira që të ndjeja përsëri sensin e lirisë”.

Misti Bërmajster u rit në një zonë të thellë të Kolorados, por u largua nga një mjedis i dhunshëm, i pllakosur nga krimet për t’u bërë një atlete aktive dhe më pas një autore e sukseshme, fjalimtare dhe afariste. Libri i saj “Hidden Heroes”, “Heronj në fshehtësi” është i treti dhe përmban po ashtu kujtimet e saj.

"Ndaj me te tjerët shumë nga historitë e mia, por edhe të të tjerëve që kanë mbushur jetën time me gëzim me praninë e tyre. Ne i shikojmë njerëzit me shumë dhimbsuri. Ata s’kanë pse të jenë të përsosur. Në fakt, ata janë të përsosur ashtu si janë. Kur i shikon njerëzit pa komplekse, por pikërisht ashtu sië janë, ata janë me të vërtetë heronj”.

Këto dy gra të reja, që kanë patur përvoja krejt të ndryshme jete, në librat e tyre tregojnë për shtigjet e jetës së tyre që i çuan në zbulimin e vetvetes dhe në ndarjen e përvojave të tyre me të tjerët.

Ponpadi: "Është me të vërtetë e frikëshme t’i zbulosh të gjitha këto. Ky proces të shkruari ishte një proces me të vërtetë qetësimi për mua”.

Bërmajster: "Mendova se do të gjeja heronj nëpër botë, por në fakt e gjeta heroin pikërisht këtu. Fillova të analizoj çdo përvojë të jetës time si dhuratë. Fillova të shikoj dhuratat në secilin prej këtyre momenteve dhe tek ato që mendoja se ishin të tmershëm”.

Autoret Bërmajster dhe Ponpadi besojnë se bota ka humbur ndjenjën e komunitetit që ka patur dikur. Në këtë frymë ato kanë të plan të japin 20% të gjithë fitimit nga librat e tyre për organizatat bamirëse të duan më shumë si The Network for Teaching Entrepreneurship (Rrjeti për mësimin e afarizmit), që inkurajon të rinjtë nga komunitete me të ardhura të pakta që të vazhdojnë shkollën dhe të bëhen afaristë.

Si dhe Lao Heritage Foundation (Fondacioni i trashëgimisë laosiane), i cili punon për të ruajtur kulturën artistike të Laosit.

Ponpadi: "Kemi një dritë të veçantë brenda vetes, thellë në zemrat tona dhe çdo person ka një dhuratë të posaçme që ëshët qëllimi dhe arsyeja e ekzistencës tonë”.

Bërmajster: "Mendoj se në këtë vend, dhe ndoshta nëpër botë, ne duhet të ri-prëkufizojmë se çfarë është në të vërtetë komuniteti, çfarë është familja. Ne duhet të hapim zëmrat dhe mendjet për të pranuar të tjerë që të bëhen pjesë e tyre”.

Të dy shkrimtaret e reja i inkurajojnë njerëzit të ndajë me të tjerët përvojat e tyre dhe t’i ndihmojnë ata. Madje, ato inkurajojnë gjithë të tjerët të zbulojnë heronjtë në jetën e tyre të përditëshme dhe të gjejnë xixëllonjat që ndriçojnë shtegun e tyre drejt një të ardhmeje më të ndriçuar.

XS
SM
MD
LG