Lidhje

Dyshimi i evangjelistëve ndaj fesë mormone


Të krishterët evangjelistë e kanë shikuar me dyshim për një kohë të gjatë fenë mormone. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jerome Socolovsky shumë evangjelistë po përpiqen tani të pajtohen me këtë fe për të mbështetur kandidatin republikan për president, mormonin Mitt Romney, ndërsa vazhdojnë të hedhin poshtë mësimet Joseph Smith, i Riu, profeti amerikan i shekullit të 19-të të kësaj feje.

Rob Sivulka flet për aspektin më të vështirë në polemikat e tij jashtë selisë së Kishës së Jezu Krishtit të Mormonëve.
Kisha e dënoi publikisht poligaminë në vitin 1890.
Por mormonët përballen shpesh me këtë argument.

Grupi evangjelist i zotit Sivulka është një prej shumë grupe të krishtera në Amerikë që përpiqet t’i bindë mormonët se feja e tyre është e gabuar.

Zoti Sivulka është i martuar me mormone, madje ai thotë se i do shumë mormonët, por ...

"I konsideroj ata të jetë të krishterë të rremë, në kundërshtim me mësimet e Biblës".

Ai thotë se kisha mormone e vë theksin tek Jezu Krishti se përpiqet të tërheqë të konvertuarit.

"Jam i shqetësuar rreth vëllezërve dhe motrave të mija të krishterë që mashtrohen nga një sekt fetar që unë do ta quaja kult".

Kisha e Jezu Krishtit e Mormonëve e hedh poshtë këtë akuzë. Ajo thotë se mësimet e profetit Joseph Smith janë në përputhje me mësimet e Biblës.
Por mësimet e profetit Smith e heqin theksin nga mëkati origjinal dhe thonë se besimtarët mund të arrijnë statusin e shenjtë. Profesori i historisë mormone, J. B. Haws thotë se besimtarët jo-mormonë nuk e pëlqyen këtë mesazh.

"Puna e Joseph Smith-it, megjithëse jo me qëllim, përfundoi në një burim polarizues''.

Një park me tema historike rikrijon pikërisht stilin e jetesës së mormonëve, të cilët shkuan në shtetin Jutah pas vrasjes së profetit Smith në vitin 1844.

Jennifer Leeds thotë se disa njerëz jo-mormonë mendojnë se kisha mormone ende praktikon poligaminë.

"Ata më pyesin se sa nëna kam dhe unë përgjigjem, unë kam një nënë po ashtu edhe një baba".

Zoti Sivulka vazhdon kryqëzatën e tij, por kur vëhet fjalë për politikë, ai mbështet Mitt Romney-in për president, megjithëse kundër dëshirës së tij.

"I besoj atij deri diku, por jo me gjithë shpirt".
Vetë mormonët e pranojnë se për ta do të ishte hipokrizi që të dënonin konvertimin.

Ata shkojnë si misionarë në zona të largëta dhe trokasin në derën e të konvertuarve të mundshëm.

Eric Johnson dhe një evangjelist tjetër përpiqet t’i njohin mormonët me parimet e tyre fetare në një qytet me shumicë mormone dhe ata ndeshen në kundërshtim.

"Mua më pëlqen shumë kur misionarët trokasin në derën time. Unë nuk ua përplas derën në fytyrë".

Eric Johnson shkoi në qytetin Brigham të shtetit Jutah, ndërsa banorët e tij po festonin ndërtimin e një tempulli të ri.

Tensionet mes mormonëve dhe të krishterëve evangjelistë datojnë që nga krijimi i Kishës së Jezu Krishtit të Mormonëve, por me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit, ata duket se janë gati t’i lënë mënjanë të paktën diferencat e tyre teologjike.





XS
SM
MD
LG