Lidhje

E ardhmja e Afganistanit pas luftës - e pasigurtë


E ardhmja e Afganistanit pas luftës - e pasigurtë
E ardhmja e Afganistanit pas luftës - e pasigurtë

Bisedimet thuhet se janë përqëndruar vetëm tek kërkesat e talebanëve për lirimin e të burgosurve që mbahen nga Shtetet e Bashkuara. Por në kushtet kur viti 2014, data e caktuar për tërheqjen e trupave luftarak, po afron, në mendjet e të gjitha palëve është një marrëveshje politike në Kabul për t’i dhënë fund konfliktit.

Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë thënë se e mbështesin procesin e paqes të udhëhequr nga afganët. Ish oficeri i CIA-s Bruce Riedel, i cili kryesoi grupin e administratës Obama për rishikimin e politikave në Afganistan në vitin 2009, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk humbasin gjë, në se mbështesin një marrëveshje politike për konfliktin.

“Nuk duhet të jemi ne kundër një marrëveshjeje politike. Në se nuk arrihet një marrëveshje, kjo le të mos ndodhë ngaqë SHBA janë ato që thanë JO. Le të gjejmë në se ka bazë për marrëveshje politike mes qeverisë së Karzait dhe forcave talebane.”

Por zoti Riedel thotë se perspektiva për kompromis mes talebanëve dhe qeverisë së Presidentit Hamid Karzai është e vogël. Talebanët e shohin administratën Karzai si një krijim të paligjshme të SHBA dhe aleatëve të tyre. Fransesc Venderell, ish i dërguar i posaçëm i BE-së për Afganistanin, thotë se talebanët janë të interesuar të bisedojnë vetëm me palën kryesore në konflikt: Shtetet e Bashkuara.

“Ata nuk duan të negociojnë me Karzain. … Dhe Presidenti afgan po i ndihmon ata, duke sabotuar atë që po përpiqen të bëjnë amerikanët. Ekziton një lloj gare e panatyrshme mes të dy qeverive, afgane dhe amerikane, se kush duhet të jetë i pari që të flasë me talebanët, gjë që duhet t’i zbavisë dhe kënaqë së tepërmi talebanët”.

Po në se negocitat e vërteta të paqes nisin, çfarë shpresojnë të fitojnë palët? Can Daniz, analist për çështjet afgane i organizatës private për zgjidhjen e konflikteve, “Swisspeace”, thotë se talebanët duan që të gjitha forcat e huaja të largohen nga Afganistani dhe Shtetet e Bashkuara dhe NATO duan garanci që forcat e tyre do të tërhiqen nga Afganistani pa u sulmuar.

“Një nga synimet tona kryesore, mendoj për këto negociata paqeje, është që të sigurohemi që gjatë tërheqjes së trupave nuk do të kryhen sulme nga kryengritësit. Prandaj, mendoj se zyra e ngritur kohët e fundit në Katar, është për të negociuar tërheqjen me rregull të trupave dhe për t’u siguruar se ato nuk sulmohen nga grupet kryengritëse.”

Drejtori i Institutit Kroc për Poltikat Ndërkombëtare të Paqes pranë Universitetit Notre Dame, David Cortright, thotë se kjo mund të jetë një pikënisje për negociatat.

“Ne themi se do t’u japim fund operacioneve luftarake. Atëhere përse nuk e përfshijmë edhe këtë çështje në negociata? Këtë mund t’ua ofrojmë përfaqësuesve talebanë, me të cilët mendohet se do fillojmë të bisedojmë: t’u ofrojmë atyre ndalimin e sulmeve me avionë pa pilot, kontrollet nëpër shtëpi, operacionet luftarake, në se edhe ata do të bëjnë të njëjtën gjë….Dhe mund të ulemi të bisedojmë për llojin e koalicionit, çfarë marrëveshje për ndarjen e pushtetit do të ishte e mjaftueshme për të gjitha palët, për t’i dhënë fund dhunës”.

Por kur i bëjmë llogaritë në planin politik, nuk është e qartë në se talebanët duan të përfshihen në një marrëveshje për ndarjen e pushtetit në Afgansitanin e pas luftës. Duke patur parasysh antipatinë që ata kanë për Hamid Karzain, shumë analistë mendojnë se ata do të bëhen pengesë për të patur një qeveri të përbashkët koalicioni.

Ish-i dërguari i BE-së, cili e njeh mirë presidentin Karzai, thekson se presidenti afgan e ka provuar se është i vështirë dhe shpesh një partner jo bashkëpunues për SHBA dhe aleatët e tyre. Vendrell thotë se ai nuk do të çuditej aspak në se SHBA do ta humbnin durimin me të, në mos kjo ka ndodhur tashmë dhe do të arrinin një marrëveshje të veçantë për të lehtësuar tërheqjen e trupave.

Por David Cortright argumeton se Pakistani fqinj, ku fshihen talebanët, nuk duhet përjashtuar nga procesi i paqes, cilido qoftë ai. Duke mbështetur analistë dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë, ai thotë se ushtria dhe shërbimi i zbulimit i Pakistanit i kanë mbështetur talebanët, me qëllim që të ruajnë ndikimin strategjik në Afganistan.

Analistët paralajmërojnë se pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të ishte e pëlqyeshme për të gjitha palët, Afganistani mund të shkasë përsëri në luftën civile që përjetoi vendi në vitet 1990.

XS
SM
MD
LG