Lidhje

E ardhmja e energjisë bërthamore nëpër botë

  • Jela Françeski

E ardhmja e energjisë bërthamore nëpër botë

E ardhmja e energjisë bërthamore nëpër botë

Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, janë përpjekur për të ndërtuar një brez të ri të centraleve bërthamore për të ulur nivelet çlirimit të gazit karbonik nga djegja e karburanteve. Por shumë ekspertë thonë se katastrofa e fundit bërthamore në centralin e energjisë bërthamore Daiichi në Fukushima të Japonisë duket se i dha një goditje këtyre planeve. Ky zhvillim po i shtynë zyrtarët e industrisë së energjisë bërthamore dhe krijuesit e politikave në këtë fushë për të marrë parasysh shpenzimet e plota të energjisë bërthamore, duke përfshirë rrezikun e aksidenteve, si dhe asgjësimin e sigurt të mbetjeve radioaktive nga këto centrale.

Në Japoni, hapësira të mëdha të tokës bujqësore janë prekur nga rrezatimi. Qindra mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Disa zona rreth 60 kilometra nga Fukushima kanë regjistruar nivele të rrezikshme rrezatimi. Dhe ekspertët thonë se do të kalojnë vite, nëse jo dekada, për të pastruar rrezatimin në Fukushima dhe për rreth saj.

Aksidenti bërthamor i dytë më i rëndë në histori ndodhi në një periudhë të rritjes së çmimeve të lëndëve djegëse dhe kur shqetësimet për ngrohjen globale kishin nxitur zërat për një "rilindje bërthamore." Shumë ekspertë thonë aksidenti në Fukushima përbën një ndalesë për këto plane. Joseph Cirincione është Drejtor Ekzekutiv i Fondit Ploughshares me bazë në Uashington, një organizatë e përkushtuar ndaj çarmatimit bërthamor:


"Fukushima është një ënder e keqe për industrinë bërthamore. Pikërisht në kohën kur ata po i bindnin njerëzit se energjia bërthamore është alternative e sigurtë dhe e përballueshme një fatkeqësi bërthamore vjen dhe provon pikërisht të kundërtën. Njerëzit tani do të kërkojnë më shumë standarde të reja rigoroze të sigurisë. Kjo do të kushtojë. Për licencimin dhe proceset rregullatore në të gjitha vendet tani do të duhet më shumë kohë dhe do të bëhen më të kushtueshme. Njerëzit nuk do të duan që një central bërthamor të ndërtohet pranë vendbanimeve të tyre. Pra, për një industri e cila prej kohësh është ndeshur me vështirësi tani do ta ketë edhe më të vështirë për të gjetur investitorë për reaktorët e saj”.

Por industria bërthamore është duke argumentuar se energjia bërthamore (për qëllime civile) ka treguar se është e sigurt dhe se projektet e centraleve të rinj i kanë forcuar rregullat e sigurimit, në krahasim me ato në centralin eFukushimës, ndërtuar 30 vjet më parë.

Tom Kauffman është zëdhënës në Institutin e Energjisë Bërthamore, ent këshillues i industrisë bërthamore të Shteteve të Bashkuara. Ai thotë se të gjitha centralet bërthamore në Amerikë janë në gjendje shumë të mirë.

"Për shembull, 104 centralet bërthamore në Shtetet e Bashkuara kanë një vlerësim besueshmërie mbi 90 për qind. Centrale bërthamore janë burimi më i qëndrueshëm me energji elektrike në Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo është arritur duke u kujdesur për këto centrale.”


Gjatë aksidenti më të rëndë bërthamor të Amerikës në Ishullin Three Mile të Pensilvanisë, në vitin 1979, Kaufmann punonte atje si inxhinjer. Ai thekson se që nga ajo kohë, në Shtetet e Bashkuara nuk ka patur asnjë një incident bërthamor. Ai gjithashtu thotë se energjia bërthamore është vërtetë energji e gjelbër

"Nëse zëvendësohen centralet bërthamore të energjisë me centralet me qymyr, kjo do të sillte çdo vit një shtesë prej 650 milionë tonë dioksidi karboni në atmosferë".

Por kundërshtarët e energjisë bërthamore theksojnë problemin e sigurisë së mbetjeve radioaktive, për shpërbërjen e të cilave duhen shumë vite.

Zgjidhja e zakonshme për depozitimin e karburantit në cisterna të nëndheshme, pranë reaktorëve bërthamorë është e pasigurt, thotë Joseph Cirincione.

"Në reaktorët në mbarë vendin karburanti po mbahet si në një sistem të bllokuar kanalizimesh . Pra, tani përveç aksidenteve të mundshme në një reaktor, ekzistojnë aksidentet e mundshme në këto cisterna që kanë deri dhjetë herë më shumë sasi të karburantit sesa vetë reaktori”.

Industria e energjisë bërthamore thotë se ka plane për zgjidhje afatgjata, përfshi ripërpunimin e rezervave ekzistuese të mbeturinave bërthamore, që do të pakësojë ndjeshëm radioaktivitetin e tyre. Megjithatë, shumë ekspertë thonë se pas Fukushimës, rifitimin e besimit publik për energjinë bërthamore mbetet një detyrë e vështirë.

XS
SM
MD
LG