Lidhje

E ardhmja e Libisë pasi të ketë rënë Gadafi

  • Al Pesin

E ardhmja e Libisë pasi të ketë rënë Gadafi

E ardhmja e Libisë pasi të ketë rënë Gadafi

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë bërë thirrje për largimin e udhëheqësit libian Moamar Gadafi dhe po zhvillojnë sulme të përditshme ajrore për të mbrojtur civilët, të cilët po ndihmojnë forca rebele në largimin e tij. Nëse përpjekjet e tyre do të jenë të suksesshme, ekspertët thonë se Libia përballet me një të ardhme jo të sigurtë, për shkak të disa elementeve që çuan në konfliktet e gjata pas rrëzimit të qeverive në Irak dhe në Afganistan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pesin njofton nga Pentagoni mbi mësimet e nxjerra nga këto konflikte, si dhe për planet që ekspertët thonë se duhen bërë për Libinë pas rënies së Gadafit.

Pasi ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Irak rrëzoi Sadam Huseinin në vitin 2003, zyrtarët amerikanë kuptuan se nuk kishin trupa të mjaftueshme për të parandaluar plaçkitjet dhe mungesën e ligjit, dhe se u mungonte një plan i hollësishëm për vendosjen e shërbimeve qeveritare dhe shmangien e krijimit të lëvizjeve kryengritëse që e futën vendin në vite të tjera me luftë.

"Duhet të bëhet një plan gjë të cilën Shtetet e Bashkuara nuk e bënë para se të ndërhynin në Irak."

Xhon Pajk, drejtor i globalsecurity.org, thotë se në Libi ekzistojnë shumë faktorë të ngjashëm, që çuan në mungesën e stabilitetit në Irak, -- duke përfshirë rivalitetet mes fiseve, armët në duart e njerëzve, mundësia e krijimit të një grupi nga ish trupat dhe përkrahësit e qeverisë, dhe mbështetja tek një person i vetëm që e ka drejtuar vendin prej dekadash.

"Moamar Gadafi e ka sunduar vendin për kaq gjatë, sa nuk ka institucione të efektshme, të cilat do ta drejtonin vendin në mungesë të tij. Prandaj duhet të ketë përpjekje ndërkombëtare për stabilizimin e vednit në periudhën pas Gadafit, përndryshe, gjithshka do të shkojë siç ndodhi në Irak, pas rrëzimit të monumentit të Sadam Huseinit."

Komandanti i operacioneve të NATO-s, admirali i marinës amerikane Xhejms Stavridis, pranoi gjatë një dëshmie para një komisioni të senatit amerikan, se ka të ngjarë të jetë e nevojshme një prani ndërkombëtare në Libinë pas Gadafit.

"Kur i hedhim një vështrim historisë së NATO-s, e cila i ka kaluar këto përvoja me Bosnjën dhe Kosovën, është e qartë se ekziston mundësia e nevojës për një regjim stabilizues."

Homologu i admiralit në komandën amerikane të Afrikës, gjenerali Kartër Hem, tha se një forcë e tillë mund të përfshinte trupa amerikane, por ai tha se kjo nuk do të ishte zgjedhja më e mirë, meqenëse mund të ngjallë reagime negative nga njerëzit në rajon. Duke sqaruar fazën fillestare të operacioneve në Libi tre javë më parë, presidenti Barak Obama tha se nuk do të dislokonte trupa tokësore.
Tani, megjithëse shumë zyrtarë të lartë po thonë se në Libi do të ketë nevojë për praninë e një force të huaj, nëse Muamar Gadafi rrëzohet nga pushteti, zyrtarët e Pentagonit nuk mund të japin ndonjë informacion mbi përpjekjet për plane. Ata venë në dukje se misioni ushtarak i NATO-s në Libi po drejtohet nga aleatët evropianë, të cilët ata supozojnë se do të drejtojnë edhe përpjekjet e stabilizimit pas konfliktit, nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Ja si shprehet analisti për sigurinë Xhon Pajk:

"Kam frikë se nuk po bëhen plane në Departamentin amerikan të Mbrojtjes dhe të Shtetit, dhe se kjo do t’i lihet Italisë, Francës dhe Britanisë. Dhe nuk jam i sigurt, thotë analisti, që ato vende i kanë burimet e duhura për zbatimin e suksesshëm të një operacioni stabiliteti."

Ekspertja e stabilizimit Beth Kol, e Institutit Amerikan të Paqes, që është organizata studimore e financuar nga Kongresi, është më optimiste. Ajo thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kryesorë në NATO kanë eksperience shumëvjeçare në operacione të tilla në Irak, Afganistan dhe Kosovë, dhe ata nuk duan t’i përsërisin gabimet e bëra në ato vende.

"Besoj se kemi mësuar diçka nga dekada e fundit, dhe se NATO-ja, Shtetet e Bashkuara, francezët, britanikët dhe të tjerët që i kanë kaluar këto përvoja, tani kanë më shumë njohuri dhe vullnet për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin."

Zonja Kol thotë se planifikimet për Libinë po bëhen pas dyerve të mbyllura mes agjencive kryesore qeveritare amerikane, duke përfshirë Departamentin e Shtetit, të Mbrojtjes dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Por ajo thotë se thuajse katër javë pas autorizimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për përdorimin e forcës, planet janë ende në faza fillestare. Studjuesja thotë se nuk ka ende një marrëveshje mbi objektivat kryesore, ndarjen e përgjegjësive, apo nëse do të përdoren Parimet Drejtuese për Stabilizimin dhe Rindërtimin që ajo ka formuluar, së bashku me drejtuesit e ushtrisë amerikane në vitin 2009.

Zonja Kol thotë se situata si ajo që pritet në Libi pas rënies së Moamar Gadafit kërkojnë përpjekje ndërkombëtare dhe bashkëpunim ndërmjet agjencive, me synimin për të vendosur sundimin e ligjit, zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe krijimin e një qeverie efikase. Megjithatë, ajo thotë se gjithçka varet nga vendosja e sigurisë në një situatë që duket se është mjaft e vështirë.

"Siguria është parakusht për gjithçka tjetër. Ka shumë sfida sigurie dhe ne duhet t’i shohim ato me kujdes në procesin e planifikimit. Kjo do të thotë se në fillim mund të duhet një forcë e qëndrueshme stabilizimi."

Zonja Kol shton se për një stabilitet afatgjatë do të ketë nevojë jo vetëm për një forcë të huaj sigurie, por edhe për përpjekje për të kuptuar dhe trajtuar konfliktet e brendshme mes fiseve libiane dhe grupeve të interesave – pra pikërisht atë lloj planifikimi që nuk ekzistonte gjatë ndërhyrjes në Irak.

"Nëse nuk do të arrihet të zgjidhen mosmarrëveshjet mes këtyre palëve, atëherë aty do të mbizotërojë një mungesë sigurie për një kohë shumë të gjatë."

Zonja Kol thotë se një nga arsyet pse planifikimi për Libinë pas Gadafit është ende në fazat fillestare është sepse vëmendja e zyrtarëve perëndimore ka qenë e shpërndarë në kaq shumë kriza gjatë muajve të fundit – nga Tunizia, Egjipti, Japonia, Bregu i Fildishtë dhe tani Siria, Jemeni dhe Libia. Por Libia është një krizë që fuqia ushtarake perëndimore ka vendosur ta zgjidhë, dhe ku aleatët e NATO-s kanë deklaruar se objektivi i tyre politik është ndryshimi i regjimit. Ekspertët thonë se duhen shumë përgatitje, sa më shpejt, në mënyrë që suksesi, nëse do të vijë, të mos çojë tek të njëjtat probleme me të cilat u përballën aleatët pasi realizuan objektivat fillestare në Irak dhe Afganistan.

XS
SM
MD
LG