Lidhje

E ardhmja e Ukrainës


Ukraina është një vend shumë i ndryshëm krahasuar vetëm me një javë më parë, pas lëvizjes së protestës, e cila përmbysi qeverinë e mbështetur nga Rusia. Tani, të rinjtë që udhëhoqën lëvizjen e protestës duan që vendi të të marrë një drejtim të ri. Al Pessin i Zërit të Amerikës njofton nga Kievi.

Kjo është Ministria ukrainase e Arsimit, ku në drejtim janë tani studentët universitarë.

Në këtë tabelë shkruhet "Mirësevini studentë". Ju mund të hyni, ndërsa gjithë të tjerët të qëndrojnë jashtë tani për tani.

Brenda ndërtesës, studentët shohin portretet e ministrave të arsimit. Ministrit të fundit ata i kanë vënë nofkën "shkatërrues i arsimit."

Studentët janë të organizuar. Një forcë mbrojtëse, kryesisht djem të rinj, është e gatshme të mbrojë ndërtesën. Në një auditor është vendosur një qendër komande, ku nxënësit takohen për të diskutuar ose thjesht për të kaluar kohën. Rregulla të rrepta ndalojnë duhanin, pijet dhe prishjen e rregullit apo të sendeve. Për të garantuar këtë, pjesë të tëra të ndërtesës janë bllokuar.

"Më quajnë Anton Savidi dhe jam student i Universitetit të Lvivit."

Në korridorin e madh jashtë zyrës së ministrit, studentët kanë vënë vula dylli mbi të gjitha dyert.

Anton Savidi, student i Universitetit të Lvivit
"Nuk duam që të zhduken dokumente ku mund të ketë të dhëna për korrupsion," thotë Anton Savidi, student i Universitetit të Lvivit.

Studentët thonë se do t'i hapin dyert më vonë, në prani të hetuesve dhe kamerave televizive.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësit e tyre thanë se ata duan të dëgjojnë mendime për zgjedhjen e ministrit të ri dhe reformën e sistemit arsimor .

Studentja 23 - vjeçare Mlada Kachurets thotë se ajo dëshiron shumë më tepër se kaq.

"Kjo është shpresa ime e vërtetë, që të ketë ndryshime dhe një jetë më të mirë, jo duke ndryshuar njerëzit por sistemin, për të ndërtuar një vend, ku të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor janë gjërat më të rëndësishme."

Këto janë synime ambicioze, por Mlada mendon se të rinjtë e Ukrainës janë më të aftë për arritjen e tyre se sa ishte brezi i vjetër.

"Ka një problem në të gjitha vendet post- sovjetike. Të gjithë ata njerëz sot të moshuar, jetonin brenda sistemit sovjetik. Ky brez, që tani janë studentë, është rritur në një vend të pavarur, në një botë të hapur. Prandaj ata mund të propozojnë disa qasje të reja për sistemin."

Mlada thotë se ajo dëshiron që fëmijët e saj të rriten në një vend ku nuk do të vriten në rrugë thjesht se nuk pajtohen me qeverinë, por në një vend normal, të civilizuar dhe pa frikë".
XS
SM
MD
LG