Lidhje

E djathta ekstreme mund të përfitojë nga kriza në eurozonë

  • Zëri Amerikës

E djathta ekstreme mund të përfitojë nga kriza në eurozonë

E djathta ekstreme mund të përfitojë nga kriza në eurozonë

Kriza në Eurozonë është bërë si një platformë për partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë në Evropë, të cilat për një kohë të gjatë kanë kritikuar monedhën e vetme evropiane si dhe idenë më të gjerë të një "Projekti Evropian" me unitet më të fortë ekonomik dhe politik. Lind pyetja: Si do të pasqyrohet kjo në zgjedhje?

Kandidatja e djathtë presidenciale Marine Le Pen ka bërë thirrje për një kohë të gjatë që Franca të mos jetë më pjesë e bashkimit me një monedhë të vetme, euron.

Dhe ndërsa kriza në eurozonë merr përmasa edhe më të mëdha, ndërkohë që ekonomia franceze tkuret, mesazhi i zonjës Le Pen në manifestimet e partisë së saj Fronti Kombëtar duket se po mbështetet nga votuesit në përgjithësi. Sipas dy anketave të fundit të opinionit, gati 20 për qind e të pyeturve e mbështesin atë. Shumë prej pjesëmarrësve në anketa shprehën shqetësim rreth problemeve financiare të eurozonës.

Ndërsa në Francë kanë mbetur më pak se 6 muaj nga zgjedhjet presidenciale, mesazhi i zonjës Le Pen kundër Bashkimit Evropian po tërheq gjithashtu vemendjen e medias, si për shembull gjatë një interviste para pak ditësh në televizionin publik francez.

"Dështimi i euros është i pashmangshëm. Franca duhet të tërhiqet nga eurozona tani që t’u shpëtojë pasojave", tha ajo.

Thomas Klau drejton zyrën e Parisit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

"Kriza e eurozonës dhe fakti që qeveritë e vendeve të kësaj zone nuk kanë qënë në gjendje deri tani ta vënë nën kontroll këtë krizë i jep Marine Le Penit një mundësi fantastike që të kritikojë mosfunksionimin e udhëheqjes ekzistuese të eurozonës, por edhe, siç shprehet ajo, mosfunksionimin e eurozonës dhe të Bashkimit Evropian si i tërë".

Partia Fronti Kombëtar në Francë nuk është e vetmja lëvizje e ekstremit të djathtë që po fiton mbështetje në Evropë. Grupet nacionaliste po shtrihen nga bazat tradicionale si Franca dhe Italia drejt territoreve të reja në Holandë, Danimarkë dhe Finlandë. Në Greqi, partia Laos e ekstremit të djathtë është bashkuar me qeverinë e re të koalicionit, për herë të parë në gati 40 vjet.

Një studim i ri me mbështetësit e grupeve të ekstremit të djathtë arrin në përfundimin se shumë njerëz mbështesin politikat anti-imigracionit dhe anti-myslimëve. Por Jonathan Birdwell, një prej autorëve të studimit të grupit kërkimor Demos me seli në Londër, thotë se qëndrimi i tyre kundër BE-së është një plus tjetër.

"Grupet që ne pyetëm, pjesa dërrmuese e tyre, thanë se Bashkimi Evropian karakterizohet nga shpërdorimi i fondeve dhe humbja e kontrollit të kufijve, gjë që çon në shtimin e imigracionit, e që pasohet me shtimin e krimeve dhe kushte më të rënda ekonomike, ose të paktën shtimin e konkurencës në këto vende me ekonomi në vështirësi".

Por analisti Klau thotë se deri tani nuk ka provë të mjaftueshme që lidhin drejtpërdrejt krizën e eurozonës me mbështetjen në rritje për të djathtën ekstreme.

"Ajo që mund të ndodhë me lehtësi nëse eurozona rrëshqet në një recesion të ri, madje ka shenja që kjo zonë të jetë në prag të një gjendjeje të tillë ose është tashmë aty, dhe nëse shkalla e papunësisë rritet edhe më shumë, atëhere mund të krijohen kushte politike në favor të partive anti-BE-së dhe eurozonës në shumë vende e ndoshta në të gjitha vendet anëtare".

Sipas anketave të opinionit, zonja Le Pen është në vend të tretë në garën presidenciale të Francës, pas kandidatit socialist, Francois Hollande dhe Presidentit Nicolas Sarkozy, i cili nuk ka shpallur ende zyrtarisht kandidaturën për rizgjedhje.

Politikania 43 vjeçare, me profesion avokate, e ka zbutur imazhin konfrontues të partisë së saj, Fronti Kombëtar. Analistët, mes tyre edhe zoti Birdwell, nuk përjashtojnë mundësinë që zonja Le Pen të fitojë vota të mjaftueshme për të qënë pjesë e balotazhit, siç ndodhi me babanë e saj Jean-Marie Le Pen, në vitin 2002.

"Mendoj se kjo ka shumë mundësi të ndodhë në zgjedhjet për president të Francës. Gjithashtu, kriza në eurozonë dhe roli i Francës në Bashkimin Evropian dhe monedha euro do të përbëjnë një çështje shumë të rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme të Francës".

Por zoti Birdwell mendon se në fund të fundit votuesit francezë do ta mbështesin euron si dhe objektivat më të mëdha të Bashkimit Evropian. Megjithatë, e djathta ekstreme mund ta shtojë mbështetjen në Francë dhe në gjithë Evropën për sa kohë që kriza vazhdon.

XS
SM
MD
LG