Lidhje

E drejta e medias për të botuar sekrete shtetërore nxit debat të ashpër

  • Zëri Amerikës

E drejta e medias për të botuar sekrete shtetërore nxit debat të ashpër

E drejta e medias për të botuar sekrete shtetërore nxit debat të ashpër

Informatat sensitive që u botuan nga faqja Wikikeals kanë nxitur një debat të ashpër në Shtetet e Bashkuara. A duhet media të publikojë informacion të klasifikuar dhe a e dëmton kjo sigurinë kombëtare? Në materialin në vazhdim, disa ekspertë të drejtësisë, gazetarisë dhe zbulimit komentojnë se çfarë do të thotë për amerikanët të gëzojnë lirinë e fjalës dhe si mund të bjerë ndesh kjo me sigurinë kombëtare.

Sekretet shtetërore të zbuluara nga Wikileaks janë bërë shkas i debateve në media rreth informatave që qeveria amerikane do të donte të mos bëheshin publike.

“Kemi një bindje në vendin tonë se na takon t’i dimë këto informacione. Na përket të dimë se çfarë po bën qeveria me paratë e taksave tona.”

Lucy Dalglish është drejtore ekzekutive e Komitetit të Gazetarëve për Lirinë e Shtypit. Ajo thotë se amerikanët kanë të drejtën të flasim pa censurën e qeverisë. Dhe kjo përfshin gazetarët. Përjashtime bëhen kur nga ajo që botohet vjen ndonjë dëm i madh ose dhunë.

Ish-analisti i CIA-s, James Bruce, thotë se botimi i dokumenteve të tilla dëmton sigurinë kombëtare amerikane.

“Armiqtë mund të kuptojnë se si i mbledhim ne informacionet e zbulimit dhe e përdorin këtë për të dëmtuar aftësitë tona për mbledhje të të dhënave. Zakonisht, shtypi nuk ka ide, nuk ka dijeni për dëmet që mund të shkaktojë botimi i informacionit të klasifikuar.”

“Ne nuk i botojmë dokumentet sekrete pa marrë parasysh pasojat. Nëse nuk jemi ekspertë në këtë fushë, u drejtohemi ekspertëve për t’u siguruar që informacioni që kemi është i saktë.”

Hagit Limor është kryetare e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë. Ajo thotë se gazetarët duhet të kenë përgjegjësinë për të paraparë dëmet e mundshme dhe për të vërtetuar informacionin para se ta botojnë.

“Ne kërkojmë vetëm informata që mendojmë se i kontribuojnë debatit publik; ndoshta për të diskutuar për punën e qeverisë dhe për të gjetur mundësi për përmirësim. Ky është roli ynë.”

Por James Bruce thotë se vetë gazetarëve u mungon përgjegjshmëria.

“Unë besoj se Departamenti i Drejtësisë ka qenë së tepërmi i kufizuar në aftësinë e vet për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës gazetarët, që trafikojnë informata të klasifikuara dhe ka shumë prej tyre që e bëjnë këtë.”

Qeveria amerikane nuk ka qenë e suksesshme në ndjekjen ligjore të medias për botimin e raporteve bazuar në informacionin e klasifikuar. Dhe tani që interneti po e bën botimin e sekreteve edhe më të mundshëm, disa ligjvënës po kërkojnë të përmirësojnë Ligjin mbi Spiunazhin të vitit 1917 për të mbrojtur më mirë dokumentet e klasifikuara.


Të ngjashme

XS
SM
MD
LG