Lidhje

E pasigurt prania e Rusisë në Olimpiket e Rios

  • Zllatica Hoke

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka shtyrë marrjen e vendimit për të përjashtuar apo jo Rusinë nga konkurrimet olimpike në Rio lidhur me dyshimet për doping. Organi ekzekutiv i Komitetit zhvilloi një mbledhje urgjente dje në Zvicër, një ditë pasi Agjencia Botërore Anti-Dopingut nxori një raport të pavarur ku ngre akuza se ka pasur përdorim në shkallë të gjerë dopingu nga sportistët rusë në Olimpiket Dimërore 2014. Për momentin vetëm sportistët e garave atletike janë përjashtuar nga Olimpiket e Rios.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është betuar të marrë masat më të rrepta ndaj asaj që e ka cilësuar si sulm ndaj integritetit sportiv në Lojërat Olimpike.

“Komiteti nuk do të nxjerrë akreditime për askënd që ka qenë i përfshirë ose implikohet nga raporti në këtë skemë. Lidhur me Ministrinë Ruse të Sporteve, Komiteti do të bëjë edhe një herë të gjitha analizat për mostrat e gjakut të të gjithë sportistëve rusë që konkurruan në Olimpiket e Soçit dhe do të marrë masat e nevojshme,” tha Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Komiteti po përqëndrohet edhe tek gara ndërkombëtare që do të zhvillohen në Rusi:

“U kemi kërkuar federatave ndërkombëtare të sporteve dimërore të pezullojnë të gjitha përgatitjet për gara si kampionatet botërore apo kupat botërore të planifikuara për këtë dimër në Rusi,” tha zoti Bach.

Ministri rus i sporteve Vitaly Mutko u hodh në kundërsulm ndaj Agjencisë Anti-Doping.

“Kjo agjenci dikton rregullat, shton emra në listë, shton elementë të rinj që ndalohet të merren nga sportistët. As nuk do t’ia dijë për sportistët apo për shëndetin e tyre. Është kthyer në një organizatë ndëshkimore”.

Zyrtarët rusë kanë mohuar se ka pasur një skemë dopingu të sponsorizuar nga shteti. Disa e kanë cilësuar raportin një tentativë nga Perëndimi për të diskretituar sukseset ruse, shpjegon analisti Jeffrey Mankoff, i cili foli me Skype me Zërin e Amerikës:

“Duke pasur parasysh sa fort kontrollohet media nga shteti në Rusi, parashikoj se ata do të përpiqen ta manipulojnë informacionin në interes të tyre. Por ndoshta do t’u duhet të ndëshkojnë disa individë për të treguar se po e marrin seriozisht problemin”.

Disa sportistë rusë kanë reaguar duke e cilësuar masën një ndëshkim kolektiv që po prek edhe individë të papërlyer në këtë skemë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka thënë se po merr vendime në baza individuale.

XS
SM
MD
LG