Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Trump duhet të zgjedhë mes agjencive të zbulimit dhe Rusisë


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest thotë se administratës së Presidentit të Zgjedhur Donald Trump, do t’i duhet të zgjedhën nëse do të mbajë anën e agjencive të zbulimit, apo Rusisë dhe WikiLeaks.

Zoti Earnest po i përgjigjej një pyetjeje për akuzën e Presidentit rus Vladimir Putin ndaj administratës së Presidentit Barack Obama se po përpiqej të sabotonte zotin Trump, duke përhapur informacion të rremë.

Zoti Putin tha se bërja publike javën e kaluar e një dosjeje me informacion të paverifikuar për sjellje të papërshtatshme ndaj zotit Trump, ishte pjesë e një përpjekjeje për “të sabotuar legjitimitetin presidentit të zgjedhur" pavarësisht nga fitorja “bindëse”, presidenciale e zotit Trump, siç u shpreh ai.

Presidenti rus e cilësoi “të rreme” një akuzë në dokument, sipas së cilës zoti Trump kishte kryer marrëdhënie seksuale në një hotel të Moskës në vitin 2013. Zoti Putin shtoi se personat përgjegjës për akuzat janë “më keq se prostitutat” dhe shtroi pyetjen se pse zoti Trump “kishte nevojë për prostituta”, kur kishte pasur marrëdhënie “me gratë më të bukura të botës”.

Agjencitë amerikane të zbulimit, nxorrën një raport që arrinte në përfundimin se Rusia, nën urdhrat e zotit Putin, kishte ndërhyrë për të sabotuar zgjedhjet presidenciale dhe kishte pasur si synim të ndihmonte zotin Trump të fitonte.

Zoti Earnest e mbrojti punën e agjencive të zbulimit në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se nuk është hera e parë që këto agjenci zbulojnë informacione që denoncojnë Rusinë.

"Jam i sigurt që Rusisë nuk i pëlqen t’i dëgjojë këto gjëra. Por në fund të fundit ka një dallim fare të qartë këtu dhe administratës së ardhshme do t’i duhet të vendosë se çfarë qëndrimi do të mbajë”, tha zoti Earnest.

Zoti Trump ka fajësuar agjencitë e zbulimit për rrjedhjen e informacionit të pavërtetuar, që e lidh gjithashtu zotin Trump me qeverinë ruse dhe shtroi pyetjen nëse drejtori i CIA-s, John Brennan ishte përgjegjës.

Në një mesazh në Twitter javën a kaluar, presidenti i zgjedhur e krahasoi komunitetin e zbulimit me Gjermaninë naziste.

Në një intervistë me gazetën “The Wall Street Journal”, zoti Brennan e cilësoi këtë krahasim si “të neveritshëm” dha tha se kritikat e zotit Trump për besueshmërinë e agjencive të zbulimit, ishin të pajustifikueshme.

Ai mohoi të kishte bërë publike dosjen e përgatitur nga një oficer britanik zbulimi në pension.

Në një conferencë për shtyp të martën në Moskë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mund të përmirësohen kur zoti Trump të bëhet president.

"Nëse qëndron ajo që thotë Donald Trump dhe ekipi i tij për Rusinë, gatishmëria për t’u përpjekur për qëndrime të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta dhe freninim e kërcënimeve të përbashkëta, ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, tha ai.

XS
SM
MD
LG