Lidhje

Ndërgjegjësimi i popullatës për ebolën


Një organizatë joqeveritare thotë se lufta kundër epidemisë së ebolës në Afrikën perëndimore kërkon eliminimin e frikës dhe stigmës që shoqërohet me këtë sëmundje. Shoqata ActionAid thotë se ritmet e larta të vdekjeve kanë sjellë humbje të besimit tek sistemi shëndetësor. Korrespondenti Joe De Capua njofton mbi përpjekjet e kësaj organizate për të ndihmuar fushatën kundër ebolës në Sierra Leone:Orgaizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në Sierra Leone janë kofirmuar 470 raste të ebolës. Mendohet se ka edhe qindra të tjerë të prekur nga kjo sëmundje. Mbi 230 vetë kanë gjetur vdekjen.

Drejtori i filialit të organizatës ActionAid në Sierra Leone thotë se sfidat kryesore me të cilat përballet ky vend si dhe Liberia dhe Guinea e kanë burimin tek infrastruktura e dobët shëndetësore. Ai thotë se këto vende nuk janë të përgatitura si duhet për të përballuar një krizë të këtyre përmasave si rezultat i mungesës së investimeve në shëndetësi.

Zoti Silah thotë se këto vende duhet të veprojnë për ta ndryshuar situatën:

“Së pari ka probleme në përgatitjen e personelit, të cilëve u mungojnë mjetet bazë për të kryer detyrën. Probleme të thjeshta si ambulancat janë sfidë për spitale të mëdha. Nëse dyshon se dikush është prekur nga ebola, nuk ke ambulancë për ta dërguar në spital që ta evakuosh nga zona”.

Ai thotë se shumë klinika në komunitete nuk kanë energji elektrike. Kjo nënkupton se nuk mund të ruajnë vaksinat apo ilaçe të tjera në frigorifer.

Një tjetër problem shqetësues është frika nga ebola. Zoti Silah thotë se njerëzit nuk e pranojnë ekzistencën e kësaj sëmundjeje dhe fajësojnë për vdekjet sëmundje apo shkaqe të tjera.

Një tjetër problem është fakti që ebola është prezantuar si një sëmundje pa shërim. Kur familjarët sjellin të afërmin e tyre në spital, pacienti vendoset në karantinë dhe ata nuk mund ta kontaktojnë më.

“Mungesa e komunikimit, mungesa e qartësisë ka sjellë mungesë besimi. Njerëzit filluan t’i shohin spitalet si zona vdekjeje. Kjo ndodhi pasi qendrat e izolimit nuk përcollën një mesazh të qartë për publikun”.

Ka pasur disa raste kur të afërmit e kanë nxjerrë pacientin me ebola nga spitali. Këto incidente, thotë zoti Silah, tregojnë jo vetëm mungesë njohurish për sëmundjen, por edhe mungesë të masave të sigurisë në spitale.

Ai shton se duhet punuar më mirë për të informuar komunitetet. Organizata ActionAid dhe shoqata të tjera shkojnë shtëpi më shtëpi në Sierra Leone për të shpjeguar metodat për parandalimin e infektimit, shenjat dalluese të sëmundjes dhe rëndësinë e dërgimit të të sëmurëve në spital.

“Ne kemi vite që punojmë në këto komunitete dhe gëzojmë besimin e tyre. Ata kanë besim tek informacioni që u japim”.

Udhëheqësit lokalë dhe fisnorë luajnë një rol të madh në përpjekjet për informim.

Zoti Silah shton se mungojnë edhe qendrat e analizave. Për shembull në pjesën lindore të Sierra Leones ka vetëm dy laboratorë. Njëri administrohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe tjetri nga organizata Mjekët pa Kufi. Disa banorëve u duhet të udhëtojnë qindra kilometra për të shkuar në këto qendra dhe disa herë duhet të presin 2-3 ditë për rezultatet e analizave.

Në mënyrë që të rritet optimizmi në popullatë, po diskutohen rastet e pacientëve që kanë arritur t’i mbijetojnë sëmundjes. Organizata ActionAid, Ministria e Shëndetësisë dhe shumë vullnetarë po përcjellin mesazhin se kujdesi shëndetësor u jep njerëzve një shans për të mbijetuar. Ata nënvizojnë faktin se 130 të infektuar kanë mbijetuar.

“Kemi filluar të sigurojmë besimin e njerëzve. Shifrat qeveritare tregojnë se numri i atyre që paraqiten në klinika shëndetësore po rritet”.

Zoti Silah ka bërë thirrje për mbështetje më të madhe ndërkombëtare për të shtuar numrin e laboratoreve që bëjnë analiza. Ai thotë se qendra të tilla do të ndihmonin shumë në luftën kundër sëmundjes.

XS
SM
MD
LG