Lidhje

Virusi i Ebolës u identifikua në vitet 1970 në një fshat të vogël të Republikës Demokratike të Kongos, ku një ekip i palodhur studiuesish donin të mësonin më shumë për të. Mes tyre ishte edhe amerikani David Heymann, sot profesor i Epidemiologjisë në Shkollën për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale në Londër. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell foli me profesorin për karrierën e tij dhe i kërkoi mendim për epideminë e fundit të Ebolës në Afrikën Perëndimore.

David Heymann ishte dëshmitar i rrezikut të Ebolës që kur ajo u shfaq në pyjet tropikale të Republikës Demokratike të Kongos, atëherë e quajtur Zaire, në vitin 1976.

“Frika ishte aq e madhe saqë një nga detyrat e mia të para ishte që të shkoja tek NASA për të marrë prej tyre njësinë e izolimit që ishte përdorur për astronautët kur u kthyen nga Hëna”.

Kur arriti në fshatin Yambuku --- qendra e epidemisë -- Heymann dhe ekipi i tij nuk kishin shumë informacion për Ebolën. Ata i vunë emrin e lumit aty pranë.

“Ebola konsiderohej një rrezik i madh në vitin 1976 sepse nuk dihej asgjë për virusin. Ajo që dihej ishte se kishte lidhje me një virus Marburg që njerëzit dhe shkenca mund ta kuptonin pak a shumë”.

Që atëherë, shkencëtarët kanë zbuluar se një lloj lakuriqi nate është bartësi i virusit dhe ia transmeton primatëve, përfshirë njerëzit.

“Në vitin 1996, pati një epidemi në Gabon, kur 18 gjahtarë vranë një shimpanze dhe që të gjithë ata ndërsta po e thernin, u infektuan dhe më pas infektuan edhe anëtarë të familjes. Por nuk u përhap më shumë”.

Profesor Heymann drejtoi përgjigjen globale ndaj virusit SARS në vitin 2003 në Kinë. Sëmundja shkaktoi vdekjen e mbi 700 vetëve, por u vu nën kontroll.

“U përhap në vende në zhvillim në Azi dhe u frenua me shpejtësi nga përpjekjet globale. Dhe kjo ishte një përpjekje globale e koordinuar ku shkencëtarët punuan së bashku, duke shkëmbyer informacion vazhdimisht”.

Por profesor Heymann thotë se në epideminë aktuale të Ebolës thirrjet e para për ndihmë u injoruan.

“Nuk pati përpjekje intensive të mjaftueshme për ta frenuar, kur ekzistonte vetëm në zonat rurale dhe tani është përhapur në zona urbane ku është më e vështirë”.

Ka të dhëna se fushatat e ndërgjegjësimin për Ebolën në Afrikën Perëndimore po kontribuojnë për të frenuar përhapjen e virusit. Barna të reja po zhvillohen me shpejtësi. Profesor Heymann thotë se duhet t’i jepet prioritet edhe një fushe tjetër kërkimesh.

“Duke përcaktuar se cila është rruga më e mirë për të shpëtuar jetën e pacientëve, duke ruajtur balancën e brendshme të elektroliteve dhe kimikateve, që ata të mos vdesin deri kur sistemi i tyre imunitar të forcohet”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se afro 6 mijë vetë kanë vdekur nga Ebola në Afrikën Perëndimore që kur shpërtheu epidemia. Profesor Heymann është optimist se përhapja e virusit do të ndalet deri në fillim të vitit 2015.

XS
SM
MD
LG