Lidhje

Teksas: Rast tjetër me Ebola


Kryetari i bashkisë së Dallasit në Teksas thotë se situata mund të keqësohet më tej para se të përmirësohet, pasi një punonjëse e dytë e shërbimit shëndetësor u provua të jetë infektuar me virusin e Ebolës.

Kryetari i bashkisë së Dallasit Mike Rawlings u tha sot gazetarëve se autoritetet po punojnë për të njoftuar të njohurit e punonjëses së dytë të infektuar, e cila u vendos dje në karantinë. .

Punonjësja e paidentifikuar në Spitalin Presbyterian të Dallasit e mori virusin ndërsa po kujdesej për Thomas Eric Duncan, shtetas i Liberisë, që u bë personi i parë që vdiq nga virusi në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.

Nina Pham, një infermiere 26 vjeçare e cila u infektua me Ebola ndërsa po kujdesej për zotin Duncan po trajtohet tani në të njëjtin spital. Ajo publikoi një deklaratë dje, ku thotë se “është mire dhe kërkon të falenderojë të gjithë që i kanë dërguar mesazhe dhe janë lutur për të."

Kreu i Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha dje se çdo spital amerikan me një rast të konfirmuar të Ebolës tani do të ketë një ekip përgjigjeje nga qendra per në vendngjarje brenda disa orësh.

Dr. Tom Frieden tha se i ka dëgjuar shqetësimet e punonjësve të shëndetësisë, që janë të shqetësuar për Ebolën dhe nuk ndjehen të përgatitur për t’u kujdesur për një pacient të prekur nga sëmundja.

Frieden tha se një ekip i qendrës për parandalimin e sëmundjeve është tani në Dallas për të siguruar që ata që kujdesen për infermieren Nina Pham operojnë të sigurtë dhe në mënyrë të efektshme. Ai tha se vendosja e një ekipi të kontrollit të infeksionit në vendin ku pacienti u diagnostikua në Dallas mund të kishte parandaluar infektimin e të tjerëve.

XS
SM
MD
LG