Lidhje

Mbi 1,100 të vdekur nga Ebola


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i njerëzve që kanë vdekur nga Ebola në Afrikën Perëndimore ka arritur në 1,145.

Agjencia e OKB-së thotë se të martën dhe të mërkurën e kësaj jave, ka marrë njoftime për 152 raste të reja të dyshuara dhe të konfirmuara të prekjes nga virusi.

Në një deklaratë sot, OBSH-ja tha gjithashtu se 76 raste të tjera të vdekurish janë njoftuar gjatë së njëjtës periudhë, shumica në Liberi.

Ndërkohë presidentja e organizatës ndërkombëtare Mjekët pa Kufij, Joanne Liu thotë se epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore po përhapet më me shpejtësi nga ç’kanë mundësi punonjësit e ndihmave të përgjigjen.

Zonja Liu tha se vendet e prekura duket sikur janë në gjendje lufte, për shkak të frikës nga virusi. Ajo parashikon gjithashtu se do të duhen rreth 6 muaj për ta vënë epideminë nën kontroll.

Presidentja e organizatës Mjekët pa Kufij foli në Gjenevë sot, pas një udhëtimi 10 ditor në Afrikën Perëndimore dhe tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) duhet të luajë rol më të ndjeshëm në menaxhimin e Krizës. Dje, OBSH-ja paralajmëroi se përmasat e epidemisë së Ebolës në Afrikën Perëndimore janë nënvlerësuar jashtë mase.

Për t’u kujdesur për disa pacientë me Ebola në Liberinë e goditur rëndë nga sëmundja, organiazata Mjekët pa Kufij po ndërton një qendër të re për trajtimin nga Ebola.

“Do të jetë struktura më e madhe që kemi ndërtuar me një kapacitet prej 120 shtratesh. Ne po ngremë edhe një njësi në Foya të distriktit Lofa për të izoluar dhe për t’u kujdesur për pacientët. Sepse aktualisht, epidemia është krejtësisht jashtë kontrollit dhe ne duhet të gjejmë strategji të tjera për të përballuar situatën”, thotë Lindis Hurum një koordinatore për Mjekët pa Kufij.

Përpjekjet e organizatës bamirëse po vlerësohen, por Martha Wesseh, një punonjëse sociale thotë se qeveria duhet t’i ndihmojë më shumë ata që janë goditur nga virusi.

“Dikush mund të deklarojë se ka virusin, por procesi i përkujdesjes për atë person është diçka tjetër. Prandaj qeveria duhet të marrë masa dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mendojë se çfarë t’u japë këtyre pacientëve”.

Dy kuti me ilaçin e Ebolës Zmapp mbërritën në Liberi nga Shtetet e Bashkuara të mërkurën. Dy mjekë liberianë do të trajtohen me këto ilaçe.

Zyrtarët duhet të vendosin tani se cilët persona të tjerë do t’i marrin dozat e tjera të ilaçit, i cili është vështirë të sigurohet në sasi të mëdha.

OBSH-ja tha se parashikon që epidemia të vazhdojë “për një kohë të konsiderueshme”. Nuk ka një kurë apo vaksinë deri tani për Ebolën.

XS
SM
MD
LG