Lidhje

Ebola në SHBA


Një pacient me simptoma të ngjashme me ato të Ebolës, është shtruar në një spital të Uashingtonit. Një zëdhënëse e Spitalit të Universitetit Howard, tha sot se një pacient që kohët e fundit kishte qenë në Nigeri, është në gjendje të qëndrueshme. Zëdhënsja tha se autoritetet spitalore e kanë izoluar pacientin dhe “kanë aktivizuar protokollet e duhura për rastet me infeksion”.

Mjekët në Dallas, të Teksasit thonë se njeriu i parë i diagnostikuar me virusin e Ebolës në Shtetet e Bashkuara mbetet në gjendje serioze por të qëndrueshme. Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë vazhdojnë të vëzhgojnë nga afër pjestarët e familjes së tij dhe personat e tjerë me të cilët ai ka patur kontakt pas kthimit nga Liberia. Zyrtarët fedarale dhe ata të shtetit të Teksasit në Shtetet e Bashkuara, i kanë izoluar në karantinë katër nga këta anëtarë të familjes së tij. Ndërsa autoritetet liberiane thonë se do ta ndjekin penalisht pacientin e identifikuar si Thomas Duncan, sepse kishte gënjyer në një formular të udhëtimit me avion, ku kishte deklaruar se nuk kishte pasur kontakt me pacientë të Ebolës. Zyrtarët thonë se rreth 100 individë mund të kenë patur kontakt me të infektuarin, i cili thuhet se është në gjendje të qëndrueshme.

Personi i parë i diagnostikuar me Ebola në Shtetet e Bashkuara është Thomas Eric Duncan nga Liberia. Ai u shtrua në spital në Dallas të dielën.

Ditë më parë, ai ishte me familjen dhe miqtë. Direkt apo jo, ai mund të ketë patur kontakt me deri 100 individë. Autoritetet kanë vënë në karantinë në shtëpi katër pjestarë të familjes së tij. Ata po kërkojnë informacione për të tjerët që mund të kenë qënë pranë tij.

Ndërkohë, vazhdojnë debatet se përse spitali në Dallas nuk e izoloi menjëherë personin kur ai shkoi për trajtim, disa ditë para shtrimit në spital.

Dr. Tom Kenyon, Drejtor i Shëndetit Global në Qendrën Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, thotë se gabime të tilla dalin me shfaqjen e papritur të kësaj epidemie të madhe.

“Është e pashmangshme. Për aq kohë sa egziston epidemia, sa më shumë të zgjerohet aq më të mëdha rreziqet e përhapjes. Shprehim keqardhje për të prekurin nga Ebola dhe shpresojmë më të mirën për të. Duam të theksojmë se nuk është dështim i sistemit të kontrollit. Është realiteti që sjell me vete epidemia.”

Zyrtarët vazhdojnë të monitorojnë shëndetin e shumë njerëzve që mund të kenë patur kontakt me zotin Duncan ndërsa ky i fundit po trajtohet në spital i izoluar. Disa njerëz shqetësohen se çfarë mund të ndodhë nëse janë infektuar njerëzit e tjerë.

“Fillimisht ishte në Afrikë dhe tani këtu pranë nesh. Nuk është përhapur por është këtu.”

Të tjerë duken më pak të shqetësuar.

“Nuk jam e shqetësuar. Ai është në spital dhe unë nuk kam kontakt me njerëzit e lidhur me të.”

“Është jashtë aftësive të mia për të bërë gjë ndaj vetëm mund të besoj.”

Besimi ndaj sistemit shëndetësor amerikan është edhe qëndrimi i Gabriel Ogueri-t i lindur në Nigeri.

“Pavarësisht situatës, teknologjia mjekësore në këtë vend do të kujdeset për të. I kemi të gjitha aftësitë për ta shfarosur epideminë. Nuk kam frikë.”

Shumë banorë në Dallas thonë se qendrimi i tyre mund të ndryshojë nëse më shumë njerëz janë infektuar nga Duncan dhe u shfaqet sëmundja. Ekspertët e Ebolës thonë se mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin e mëtejshëm në Shtetet e Bashkuara apo gjetkë është mposhtja e sëmundjes në Afrikën Perëndimore, ku infrastruktura shëndetësore dhe kujdesi mjekësor mbeten të pamjaftueshme.

XS
SM
MD
LG