Lidhje

Një vaksinë e suksesshme për Ebolën

  • Steve Baragona

Një vaksinë për ebolën ishte 100 për qind e efektshme në një studim në shkallë të gjerë të realizuar në Guine. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se ata do të jenë më të përgatitur për një krizë të ardhshme.

Në vitin 2014, kur ebola bënte kërdinë në Guine, Sierra Leone dhe Liberi punonjësit e shëndetësisë nuk mund të bënin asgjë, përveç se të izolonin viktimat në përpjekje për të frenuar epideminë ose për të parandaluar përhapjen e saj.

Kështu që, rezultatet përfundimtare nga studimi i parë i madh për një vaksinë për ebolën përbëjnë një ndryshim të rëndësishëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë organizoi studimin e më shumë se 11 mijë njerëzve të ndarë në dy grupe, thotë përgjegjësja e hulumtimit për ebolën, Marie-Paule Kieny:

“Kishim zero raste infektimi me ebolë në grupin që u vaksinua menjëherë, në krahasim me 23 raste në ata që nuk u vaksinuan. Pra, zero me 23, mund të thuhet se kjo vaksinë duhet të jetë mjaft e efektshme”, thotë ajo.

Disa nga vaksinat janë në faza të ndryshme të testimit. Por grupi i zonjës Kieny mori rezultatet e fundit pasi përdori një strategji të veçantë.

Epidemia po ngadalësohej kur vaksinat ishin gati për testim. Numri në ulje i rasteve e bënte të vështirë të testoheshin fuqitë parandaluese të vaksinës.

Për këtë shkak, studimi i saj u përqëndrua në njerëzit që ishin të infektuar nga ebola:

“Nga ky rast infektimi u identifikuan të gjithë kontaktet, ata që kishin qenë në kontakt me personin me ebolë, si dhe kontaktet e tyre” thotë zonja Kieny.

Në këtë mënyrë u asgjësua sëmundja e lisë. Zonja Kieny thotë se kjo është hera e parë që është vepruar kështu për të provuar efektshmërinë e një vaksine.

Rezultatet, të botuara në revistën mjekësore The Lancet, pasojnë të dhëna premtuese të publikuara më parë, në korrik të 2015-ës. Vaksina tashmë ka ndihmuar në ndalimin e përhapjes së ebolës në Guine në fillim të këtij viti.

Kompania Merck është duke aplikuar për miratim nga ligjvënësit:

“Ka një nivel të mirë përgatitjeje tani, dhe ne shpresojmë se do të përgatitemi edhe më mirë pasi të regjistrohet vaksina” shtoi ajo.

Organizata jofitimprurëse për shëndetin GAVI ka rënë dakord të blejë 300 mijë doza pasi të miratohet. Por zonja Kieny paralajmëron se ka një tjetër lloj ebole që kjo vaksinë nuk mund ta ndalojë dhe zyrtarët e shëndetësisë duhet të jenë të gatshëm të luftojnë përhapjen e pashmangshme në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG