Lidhje

Problemi i ujërave ndërkufitare


Të djelën më 22 mars, është Dita Botërore e Ujit që tërheq vëmendjen e njerëzimit mbi këtë element të pazëvendësueshëm të jetës dhe zhvillimit. Në raportin e sivjetshëm të Forumit Ekonomik Botëror mbi sfidat globale, kontrolli i burimeve ujore renditet në krye si potencial konfliktesh me ndikimin më të madh. Ballkani nuk u ka shpëtuar këtyre mosmarrëveshjeve. Planet për projekte mbi rrjedhën e lumit Vjosa dhe lumit Radika janë shembuj konkretë të mosmarrëveshjeve që e kanë zanafillën tek shfrytëzimi i burimeve ujore. Kolegia Ardita Dunellari bisedoi me profesorin e shkencave juridike Gabriel Eckstein lidhur me përvojën botërore në trajtimin e këtyre mosmarrëveshjeve.

Problemi i ujërave ndërkufitare
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:58 0:00

Shqipëria dhe Greqia janë zotuar që t’i trajtojnë në mënyrë bilaterale dhe përmes negociatash shqetësimet për projekte zhvillimi që do të devijonin lumin Vjosa. Një situatë e ngjashme është shpalosur edhe pas planeve të Maqedonisë për projekte në lumin Radika që do të ndikonin tek prurjet e lumit Drin në Shqipëri dhe Kosovë. Për momentin projektet janë në fazën e planifikimit dhe Banka Botërore, që mbështet projektin në Maqedoni, thotë se projekti hidroenergjetik nuk do të ketë ndikim të ndjeshëm në rrjedhën e Radikës.

Shqetësime të tilla nuk janë unike për Ballkanin. Në raportin e sivjetshëm për Rreziqet Globale të dekadës së ardhshme, Forumi Ekonomik Botëror e rendit mungesën e ujit si rrezikun që mund të shkaktojë ndikimin më të madh përmes konflikteve që lindin për kontrollin e burimeve ujore. Me ambicjet ekonomike të shumë vendeve në zhvillim, mosmarrëveshjet mbi burime ndërkufitare natyrore po dalin më tepër në pah, thotë Profesori i Jurisprudencës në Universitetin A& M në Teksas, Gabriel Eckstein:

“Arsyeja përse kjo temë po dëgjohet më shumë këto kohë është sepse kemi më pak ujë për person në nivel global. Popullsia po rritet me ritme të larta, po rriten edhe ekonomitë. Ka shumë zona në botë ku qeveritë janë shumë të përqëndruara në rritje ekonomike dhe uji është i domosdoshëm për çdo aspekt të shoqërisë dhe çdo sektor të ekonomisë, qoftë prodhimi bujqësor apo prodhimi industrial”.

Profesor Eckstein, i cili ka ofruar ekspertizën e tij ligjore në ndihmë të qeverive dhe organizatave të ndryshme që ballafaqohen me mosmarrëveshje mbi burime ndërkufitare ujore, thotë se zgjidhja qëndron në vullnetin për t’i parë këto burime si pasuri të përbashkëta dhe me vlera të ndërsjellta. Ai sjell si shembull bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës për të menaxhuar burimet e përbashkëta ujore:

“Ekziston një histori e gjatë bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Dy vendet kanë ngritur një komision për ujërat ndërkufitare që mbikqyr menaxhimin e këtyre burimeve. Po ashtu ekzistojnë mekanizma për përdorimin e përbashkët të ujërave të lumejve Kolorado dhe Rio Grande, ku parashikohen procedurat për modifikime të vazhdueshme në përgjigje të ndryshimeve klimatike, ndryshimeve në vëllimin e prurjeve të lumejve dhe nevojave ekonomike”.

Është e vetmja zgjidhje e logjikshme, thotë profesori, pasi ligji ndërkombëtar nuk ofron një standard të qartë për këto mosmarrëveshje. Rregullat ekzistuese, thotë zoti Eckstein, janë të përgjithshme pasi kanë aplikim global, por kushtet janë specifike dhe ndryshojnë shumë nga lumi Danub, në lumin Nil, për shembull. Megjithatë, në mungesë të përparimit në bisedimet dypalëshe, mekanizmat ndërkombëtarë mund të japin ndihmesën e tyre:

“Nëse negociatat nuk rezultojnë në zgjidhje për problemin, vendet mund të kërkojnë ndihmë nga një palë e tretë, si Bashkimi Evropian apo një gjykatë ndërkombëtare”.

Njerëzimi, na kujton Profesor Gabriel Eckstein, ka një traditë mbi 1400 vjeçare të shoqëruar me 3600 marrëveshje për shfrytëzimin e burimeve ujore – një dëshmi e gjatë dhe e pamohueshme se lumejtë ka qenë më së shumti burim i vullnetit të mirë mes vendeve fqinje. Me mosmarrëveshjet e fundit vendet ballkanike gjenden para sprovës për ta treguar veten shembuj të një tradite globale mbi 1 mijë vjeçare të fqinjësisë së mirë.

XS
SM
MD
LG