Lidhje

Shqipëria, rënie në nivelin e lirisë ekonomike

  • Keida Kostreci

Liria ekonomike në Shqipëri ka pësuar rënie në krahasim me një vit më parë. Në raportin vjetor për Indeksin e Lirisë Ekonomike në botë, botuar nga Fondacioni Heritage në bashkëpunim me gazetën Wall Street Journal, thuhet se rënia për Shqipërinë i atribuohet dobësimit të lirisë në biznes, asaj fiskale dhe në investime. Por vlerësimet më të ulta, Shqipëria i ka në drejtim të korrupsionit dhe të drejtës së pronës.

Shqipëria klasifikohet si një vend me liri të moderuar ekonomike. Ndërsa në botë renditet relativisht lart, e 63 mes 186 vendeve të përfshira në studim, e krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria rendiet e 29-ta, mes 43 vendeve të Evropës. Ky klasifikim shënon një ulje nga një vit më parë, kur vendi renditej respektivisht i 54 në botë dhe 25 në Evropë. Klasifikimi në raport bëhet duke analizuar 10 liri ekonomike që vlerësohen maksimalisht me 100 pikë. Rënia e sivjetme, është e para në 5 vitet e fundit.

Rënia e përgjithshme për Shqipërinë është me 1.2 pikë, me rënien më të ndjeshme të shënuar në kategoritë e biznesit, asaj fiskale dhe të investimeve. Natasha Srdoc, themeluese dhe kryetare e Institutit të Adriatikut për Politika Publike, analizon të përfundimet e raportit për vendet e Evropës. Ajo thotë se në Shqipëri, rënia e lirisë fiskale, i atribuohet rritjes së taksave.

“Ato personale u rritën nga një taksë e sheshtë 10 për qind në 23 për qind dhe ato të korporatave shkuan në 15 për qind. Pra ky ndryshim, e uli nivelin e lirisë fiskale për Shqipërinë”.

Ulja në këtë drejtim është 5.5 pikë në krahasim me vitin 2014, duke arritur një vlerësim prej 87.2 nga maksimumi prej 100 pikësh, që zonja Srdoc thotë se është gjithsesi një shifër e lartë po ta krahasosh me rezultatet për liritë e tjera ekonomike dhe me vendet e tjera, ku në shkallë botërore Shqipëria radhitet e 36-a.

Një rënie e ndjeshme prej 7.5 pikësh vihet re tek liria e biznesit. Në raport thuhet se pavarësisht nga reformat e kohëve të fundit, mjedisi jo efiçent i biznesit ende pengon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Për të hapur një biznes duhet të kalosh mesatarisht përmes 5 procedurave por marrja e liçencave të nevojshme mund të dojë 200 ditë dhe kjo thotë zonja Srdoc e ul ndjeshëm lirinë e biznesit”.

Ajo thotë se rënia ka ndodhur për shkak të rezultateve të raportit të Bankës Botërore ‘mbi lehtësinë e të bërit biznes’

“Në këtë kategori duhet të jemi të shqetësuar sepse kjo tregon se sa biznese të reja do të hapen dhe sa vende të reja do të hapen”.

Por zonja Srdoc thotë se fusha ku duhet të përqendrohet më shumë Shqipëria është ajo e shtetit ligjor, që përfshin të drejtën e pronës dhe korrupsionin.

“Që do të thotë shtimi i masave mbrojtëse për të drejtat e pronës dhe çrrënjosja e korrupsionit politik në qeveri dhe ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë”.

Për të dyja këto fusha, pronat dhe korrupsioni, vlerësimi është ndër më të ulëtit mes 10 kategorive të lirive ekonomike, megjithëse përsa i takon gjendjes së korrupsionit është shënuar një përparim i lehtë. Nga 100 pikë të mundshme, Shqipëria vlerësohet me 30 për të drejtat e pronës, në vend të 94rt nga 186 vende, dhe 31 për gjendjen e korrupsionit, në vend të 118. Me këtë vlerësim, ajo llogaritet mes vendeve pa liri për këto kategori.

Në raport thuhet se Shqipëria mori statusin e kandidatit në BE, me kushtin që të kryejë reformën në sistemin e drejtësisë dhe të përmirësojë zbatimit të ligjit për të luftuar korrupsionin e rrënjosur thellë.

Mbrojtja e pronës intelektuale dhe asaj të patundshme sidomos e tokës është e dobët.

Ndërhyrja e qeverisë si edhe kontrolli rregullator “vazhdojnë të kufizojnë investimet dinamike dhe efektivitetin e përgjithshëm ekonomik”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se ekonomia shqiptare është kryesisht në duart e privatëve, por shteti vazhdon të kontrollojë sektorë kyç, veçanërisht atë të energjisë.

Megjithëse investimet e huaja direkte janë rritur në vitet e fundit, Shqipëria ka pësuar një rënie prej 5 pikësh në krahasim me vitin e kaluar.

“Shqipëria tërheq nivelin më të ulët të investimeve direkte të huaja në rajonin e Evropës Juglindore dhe fakti që ka nivele shumë të ulëta të mbrojtjes së të drejtave të pronës dhe nivele shumë të larta korrupsioni, është pengesë për këto investime”, thotë zonja Srdoc.

Në raport thuhet se megjithëse investimet e huaja janë një përparësi, ka kufizime përsa i takon pronësisë së huaj për tokën.

Në krahasim me vitin e kaluar liria e tregut të punës është përmirësuar me 3.2 pikë por kjo është edhe një nga kategoritë ku Shqipëria renditet më poshtë, në vend të 123-të mes 186 vendeve. Zonja Srdoc thotë se në këtë kategori analizohen mundësia e gjetjes së punës dhe lehtësia dhe fleksibiliteti i bizneseve për të punësuar dhe hequr nga puna. Në raport thuhet se në mungesë të një tregu pune funksional, tregu informal vazhdon të jetë i përhapur.

“Tregu informal është një tregues se tregu i ligjshëm i punës i nënshtrohet kufizimeve të jashtëzakonshme. Njerëzit që nuk gjejnë punë në tregun e ligjshëm që është nën peshën e rregullave strikte, gjejnë punë në ekonominë e paligjshme”.

Në raport, thuhet se në Shqipëri duhen ndërmarrë reforma më të thella strukturore për ta bërë më të larmishme ekonominë dhe përmirësuar fleksibilitetin e tregut të punës për një zhvillim ekonomik me bazë më të gjerë.

Shpenzimet publike kapin shifrën 28.2 për qind të ekonomisë dhe borxhi publik është rreth 70 për qind të prodhimit të brendshëm.

Po ashtu, kontrolli i çmimeve dhe subvencionet qeveritare ndikojnë negativisht çmimet e brendshme për energjinë elektrike, ujin, prodhimet bujqësore dhe transportin hekurudhor.

Bankat zotërojnë 90 për qind të pasurive në sektorin financiar dhe megjithëse sektori bankar është relativisht i fortë, huatë e këqia kanë arritur në 20 për qind të të gjithë sasisë së huave.

Po t’i hedhësh një vështrim vlerësimit afatgjatë për Shqipërinë, ajo që të bie në sy, është se në shumicën e kategorive, që nga viti 1995, ajo ka shënuar përparim, me përmirësimet më të ndjeshme në shpenzimet qeveritare dhe lirinë monetare. Liria në fushën e investimeve ka mbetur e pandryshuar dhe ajo e biznesit pothuajse në të njëjtin nivel. E vetmja kategori që ka pasuar rënie – dhe një rënie e ndjeshme – është ajo e lirisë së pronës, me një rënie mesatare prej 20 pikësh që nga viti 1995.

Vendet në raport ndahen në të lira, kryesisht të lira, me liri të moderuar, kryesisht jo të lira dhe të shtypura. Vetëm 5 nga ekonomitë e analizuara për raportin e këtij viti janë plotësisht të lira, 30 kryesisht të lira dhe 55, mes së cilave edhe Shqipëria, kanë liri të moderuar. Nga ana tjetër pothuajse gjysma e vendeve të botës janë kryesisht jo të lira ose të shtypura.

XS
SM
MD
LG