Lidhje

Parashikime për rritje ekonomike në eurozonë

  • Henry Rdigewell

Bashkimi Evropian ka rishikuar parashikimet mbi rritjen e saj ekonomike. Sipas parashikimeve të reja ekonomia e BE-së do të ketë një rritje më të madhe. Lajmi vjen ndërkohë që Greqia synon të sigurojë një tjetër paketë ndihmash financiare pas arritjes së një sufiçiti buxhetor. Në Itali, qeveria e re është zotuar se do të rimëkëmbë ekonominë e saj të ngadalësuar. Prandaj, shtrohet pyetja: a është ky fillimi i fundit të krizës në eurozonë? Shumë analistë nuk mendojnë se ky është fillimi i fundit të krizës ekonomike në eurozonë.

Përfaqësuesit e trojkës ndërkombëtare të huadhënësve, ku bëjnë pjesë Bashkimi Evropian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane, nuk u pritën mirë në Athinë.

Greqisë i duhet kësti i ardhshëm i paketës së shpëtimit për të financuar pagesat e borxhit në muajin maj që kapin shumën e 12.8 miliardë dollarëve.

Bisedimet kanë ngecur prej muajsh rreth pretendimeve se Greqia është duke zvarritur zbatimin e reformave në fushën e punësimit.

Protestuesit thërrisnin para inspektorëve: "Ne po flasim për jetë njerëzish, ndërsa ju flisni për fitimet dhe humbjet."

Që nga viti 2008, ekonomia e Greqisë është tkurrur me rreth një të katërtën, dhe niveli i papunësisë është 28 përqind.

Vendi sapo ka shënuar një sufiçit buxhetor prej 1.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, një lajm i mirë pas disa veteve të shkurtimeve të mëdha të shpenzimeve qeveritare. Por ende ka shumë punë për t’u bërë, thotë analisti Simon Tilford i Qendrës për Reformën Europiane.

"Natyrisht asnjë vend i zhvilluar apo në zhvillim nuk ka bërë ndryshime fiskale siç kanë bërë grekët. Por ata nuk kanë nevojë thjeshtë vetëm për një sufiçit buxhetor, ata kanë nevojë për një sufiçit të madh i cili do të mundësojë paguarjen e borxheve të tyre".

BE këtë javë publikoi parashikimet e rishikuara të rritjes ekonomike duke sugjeruar se eurozona këtë vit do të rritet me 1.2 për qind dhe 1.8 përqind në vitin 2015.

Olli Rehn është komisioneri i BE-së për çështjet ekonomike dhe monetare.

"Rimëkëmbja në Bashkimin Evropian po fiton terren dhe po përhapet në të gjithë vendet, edhe pse ende mbetet modeste. Është lajm i mirë që edhe aktiviteti ekonomik ka filluar të forcohet në vendet në vështirësi."

Italia shihet si një nga anëtarët e eurozonës në vështirësi. Ish- kryetari i bashkisë së Firencës, 39 vjeçari Matteo Renzi, këtë javë u bë kryeministri më i ri i vendit, pasi e mundi rivalin e tij të partisë. Në një fjalim në dhomën e ulët të parlamentit, ai u zotua se do të shkurtojë shpenzimet dhe taksat dhe do të "revolucionarizojë " ekonominë e Italisë.

"Jashtë këtij parlamenti, askush nuk beson më se politikanët mund të bëjnë diçka. Prandaj, duke rrezikuar shumë, ne kemi premtuar të përshpejtojmë procesin e zbatimit të reformave brenda afateve të caktuara."

Me ndryshimet politike në Itali dhe rimëkëmbjen në eurozonë, disa politikanë të BE-së besojnë se ky është fillimi i fundit të krizës në eurozën, thotë analisti Simon Tilford i Qendrës për Reformat Evropiane.

"Unë mendoj se ka një rrezik për vetëkënaqësi që një kthim në rritje dhe qetësi relative në tregjet financiare është inkurajues për politikëbërësit evropianë që të besojnë se ata mund të shmangin reformat e rëndësishme institucionale në eurozonë. "

Pa këto ndryshime, shumë analistë kanë frikë se Evropa nuk do të arrijë t’i zgjidhë problemet thelbësore të eurozonës. Por lajmi se edhe ekonomitë e dobëta kanë filluar të tregojnë shenja pozitive është pritur mirë pas shtatë vitesh të shkurtimeve dhe stanjacionit.
XS
SM
MD
LG