Lidhje

Ekonomia shqiptare shënon rritje negative


Në Shqipëri, ekonomia shënoi një rritje negative në tremujorin e dytë të këtij viti, duke zbritur me 0.61 përqind kundrejt të njejtës periudhë të viti të kaluar. Shifrat u bënë publike sot nga Instituti i Statistikave

Sipas të dhënave, sektorët që kanë shënuar rënien më të fortë janë Transporti me -23.05 përqind dhe Ndërtimi me -22.39 përqind. Një rënie më të ulët pati grupi i Industrive me -1.29 përqind dhe Posta e Komunikacioni me -1.02 përqind. Nga ana tjetër, të dhënat flasin për një aktivitet pozitiv të Bujqësisë e cila ka regjistruar një rritje prej 3.18 përqind, të grupit Tregti, Hotele dhe Restorante me +7.09 përqind, dhe Shërbime të tjera me +4.55 përqind.
Sipas drejtorit të Institutit të Statistikave Gjergj Filipi, kjo rënie e aktivitetit ekonomik krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të shkuar i detyrohet faktit që tremujori i dytë i 2013-ës ka patur karakteristika të pazakonta: shpenzime të lartë dhe injeksione të mëdha likuiditeti, duke qenë se koincidon me periudhën para zgjedhjeve elektorale.


Krahasuar me tremujorin e parë të 2014, aktiviteti ekonomik rezulton me rritje, ndonëse modeste, prej 0.38 përqind. Në tremujorin e parë rritja me bazë vjetore ishte 1.65 përqind. Ndërsa viti 2013 u mbyll me nivelin më të ulët historik që nga viti ’97, me 0.4 përqind. Autoritetet kanë parashikuar një rritje prej 2.1 përqind për vitin 2014, por rezultatet e tremujorit të dytë rrezikojnë ta kompromentojnë këtë objektiv.

XS
SM
MD
LG