Lidhje

Joseph: Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi mund të kërkojë vite

  • Festim Gashi

Edward Joseph

Edward Joseph

Analisti amerikan Edward Joseph thotë se zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit nuk do të jetë i lehtë

Vendimi i Bashkimit Evropian për të filluar negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën është i rëndësishëm për Kosovën duke patur parasysh se pavarësia e saj nuk është njohur nga pesë vende të BE-së, thotë analisti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph. Në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit mes Serbisë dhe Kosovës, zoti Joseph tha se zbatimi saj nuk do të jetë i lehtë.


Vendimi i Bashkimit Evropian për të filluar negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën është një hap i rëndësishëm për Kosovën pasi i hap rrugën normalizimit të marrëdhënieve me BE-në nga e cila Kosova mund të përfitojë shumë, thotë analisti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph. Ai theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme për Kosovën pasi pavarësia e saj nuk është kontestuar vetëm nga Serbia dhe Rusia por edhe nga pesë vende të BE-së.

“Sipas mendimit tim, ajo që Kosova mori nga Bashkimi Evropian është po aq e rëndësishme sa ajo që kanë marrë vendet e rajonit sepse nga të gjitha vendet e rajonit, vetëm pavarësia e Kosovës është e kontestuar. Emri i Maqedonisë është i kontestuar nga Greqia por jo pavarësia e saj. Greqia e njeh Maqedoninë si shtet i pavarur. Ata nuk njohin vetëm emrin e saj. Pavarësia e Kosovës, nuk është e kontestuar vetëm nga Serbia dhe Rusia por edhe nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Dhe ky fakt i ka komplikuar marrëdhëniet formale të Kosovës me Bashkimin Evropian. Kjo ka shkaktuar pamundësinë e Kosovës për të vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe pamundësinë për të përfituar nga të gjitha programet e ndihmave konstruktive që Brukseli mund t’i ofrojë vendit. Për këtë arsye vendimi i BE-së për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën është shumë i rëndësishëm”.


Zoti Joseph tha se negociatat e vështira mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç që përfunduan me arritjen e marrëveshjes së 19 prillit si dhe bisedimet që ende po vazhdojnë për të saktësuar zbatimin e marrëveshjes kanë qenë shumë të rëndësishme dhe pozitive për Kosovën. Ato kanë hapur jo vetëm mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë por edhe normalizimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian që i nevojitet shumë shtetit të pavarur të Kosovës.
Lidhur me shqetësimet e opozitës për çështjen e zbatimit të marrëveshjes, zoti Joseph tha se ato janë legjitime por nuk duhet të jenë arsye për ta kundërshtuar marrëveshjen.


“Natyrisht ka arsye legjitime për shqetësim dhe për të treguar kujdes në lidhje me zbatimin e marrëveshjes. Por këto nuk janë arsye për kundërshtimin e marrëveshjes. Angazhimi dhe mbështetja e Brukselit dhe kryeqyteteve të tjera evropiane si Berlini është shumë i rëndësishëm. Ata po e ndjekin nga afër përparimin e negociatave dhe rolin që do të ketë marrëveshja. Serbia do të ketë një rol në zbatimin e marrëveshjes dhe është e rëndësishme që të saktësohet roli saj në lidhje me policinë dhe gjykatat në veri. Çështja kryesore është bashkësia e komunave dhe frika se ajo mund jetë një kundërpeshë për qeverinë e Prishtinës. Ky është thjesht një shqetësim dhe nuk do të thotë se mund të ndodhë. Pra, duhet të tregohet kujdes për këto gjëra por kjo nuk duhet të jetë shkak për kundërshtimin e marrëveshjes”.


I pyetur se kur mund të pritet vënia në jetë plotësisht e marrëveshjes, ai tha se zbatimi i saj nuk do të jetë i lehtë dhe mund të kërkojë vite. Por, sipas tij, zbatimi i saj është në interes të Prishtinës dhe Beogradit sepse ajo është e ndërlidhur me integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

“Duhet të jemi të qartë se zbatimi i plotë i marrëveshjes është diçka që mund të vazhdojë me vite. Gjermania ka vënë kushte të forta para se Serbia të përparojë në marrëdhëniet me BE-në. Këto kushtëzime duhet të vlejnë edhe për Prishtinën sepse edhe qeveria e Kosovës ka obligime ndaj komunitetit serb. Sërbët në veri e kanë bërë të qartë se ata janë kundër marrëveshjes. Por, duhet të kujtojmë se Beogradi ka vënë gjithë peshën dhe angazhimin politik mbi këtë çështje dhe përparimin e tij të ardhshëm drejt BE-së, për të cilin qeveria serbe ka treguar angazhim të vazhdueshëm. Prandaj, Beogradi do të rrezikonte shumë nëse do të lejonte grupe ekstremiste në veri të Kosovës që ta kundërshtojnë dhe pengojnë zbatimin e marrëveshjes në mënyrë të pajustifikuar”.


Lidhur me ndikimin që mund të ketë anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian mbi vendet e rajonit, analisti Edward Joseph tha se ai mund të ketë një efekt demonstrativ dhe mund t’i japë shtytje përpjekjeve të vendeve të rajonit për të përmbushur kriteret e BE-së.


“Kjo u tregon të gjitha vendeve tjera të rajonit si dhe Brukselit se këto vende mund t’i pëmbushin kriteret për të hyrë në Bashkimin Evropian. Kjo u tregon vendeve fqinje të Kroacisë përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë se në fakt ka një vijë finishi. Vetë fakti që Kroacia është njohëse e pavarësisë së Kosovës është shumë i rëndësishëm”.


Analisti Edward Joseph thotë se angazhimi i vendeve të Bashkimit Evropian si Gjermania që përparimi serioz në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit të kushtëzohet me përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian do të sjellë rezultate.

XS
SM
MD
LG