Lidhje

Qeveria rishikon buxhetin dhe përfundon 51 rrugë


Qeveria shqiptare vendosi të rishikojë buxhetin e shtetit, në mbledhjen e sotme ku morën financime një mori projektesh në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe përkrahje sociale. Kryeministri Edi Rama deklaroi se me 32 milionë dollarë të ardhura që janë mbledhur më shumë nga objektivi i vendosur së bashku me F.M.N.-në, do të fillojë qysh këtë vit të ulen deficiti dhe borxhit publik, edhe pse me Fondin ishte vendosur që këto ulje të fillonin vitin e ardhshëm.

Zoti Rama tha në konferencë pas mbledhjes së qeverisë se për herë të parë në 5 vitet e fundit parashikimi i buxhetit bëhet me rritje, sepse për 5 vite rresht qeveria bënte parashikime përtej mundësive, duke bërë propagandë për para që nuk i kishte; të parët, sipas tij, do të përfitojnë shtresat në nevojë.

"Për herë të parë pas 5 vitesh parashikojmë një buxhet me rritje. Së dyti, 43 milionë dollarë vendosen në dispozicion të gjithë pjesës më të dobët të shoqërisë, persona me aftësi të kufizuara, të cilëve shteti u lan përfundimisht borxhet” - tha ai.

Kryeministri Rama tha se me këto të ardhura do të blihen 20 auto-ambulanca të reja dhe helikopter urgjence, dy pajisje dialize dhe do të përfundojë rindërtimi i Sanatoriumit, i lënë përgjysmë. Po ashtu, nis tani digjitalizimi i arsimit; fëmijët do të kenë tableta digjitale edhe pse prindërit blejnë apo nuk blejnë dot libra. Ai theksoi se qeveria do të paguajë ndërtimin e disa dhjetëra rrugëve të financuara përgjysmë nga Valbona, Kukës - Krumë - Has, Lushnje - Berat, Lin - Pogradec, Durrrës - Rrogozhinë, Korcë - Ersekë etj.

“51 projekte që kanë mbetur rrugëve, - flasim infrastrukturë rrugore, - dhe që kanë arritur të financohen deri në plus 50%, do të financohen 100%. Pra, gjithë pjesa e mbetur financohet tani dhe do të investohemi fuqimisht, që t’u rrimë në kokë kompanive që të punojnë ditë-natë, për t’i realizuar ato investime” - tha ai.

Zoti Rama tha se mbi 100 rrugë të tjera të mbetura rrugëve dhe të nisura pa para do të hyjnë në program vitet e tjera. Buxheti i rishikuar do të financojë teqen e madhe të bektashinjve dhe fonde shpronësimi për xhaminë e madhe të Tiranës. Po ashtu do të blihen pajisje për një polici dinjitoze, të rendit, ndërsa taksat do t'i mbledhë vetëm një inspektor tatimesh, pa u bubluar më me bashkitë.

Shqipëria dhe FMN arritën një marrëveshje bashkëpunimi në qendër të cilës është financimi për stabilizimin e treguesve dhe uljen e borxheve dhe deficitit buxhetor. Një mision i Fondit mbërrin çdo tre muaj për të parë ecurinë e ekonomisë dhe objektivave para se të lëshojë këstin e radhës. Misioni i fundit u largua para disa ditësh pa sqarime të detajuara publike, edhe pse qëndroi gati dy javë në biseda me ekspertët shqiptarë.

XS
SM
MD
LG