Lidhje

Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se Indeksi i Biznesit u përkeqësua


Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Indeksin Vjetor të Biznesit, të matur nga sondazhe të anëtarëve të saj. Studimi zbuloi se ky tregues ka rënë gjatë vitit të kaluar me 0,3 për qind dhe këtë vit parashikohet që të rritet nga 40 deri në 43 për qind. Bizneset e anketuara, anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë, renditën si tre shqetësimet e tyre kryesore për vitin e kaluar nivelin e ekonomisë informale, burokracinë qeveritare, monopolet dhe konkurrencën e pandershme. Krahas këtyre, këtë vit, vendin e parë të shqetësimeve e zënë ecuria e ekonomisë shqiptare dhe klima e brendshme politike.

Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane nxori se klima e favorshme e biznesit u përmirësua sivjet me 10 për qind, edhe pse afro gjysma e kompanive e vlerësojnë ende klimën e biznesit të pafavorshme madje një pjesë edhe shumë të pafavorshme. Studimi zbuloi se korrupsioni vitin e kaluar u rrit me 13 për qind krahasuar me vitin 2012, po aq sa u rritën edhe ekonomia informale edhe konkurrenca e pandershme.

Krahas Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, konferenca, që u drejtua nga korrespondenti i "Zërit të Amerikës", Armand Mero, trajtoi në detaje situatën ekonomike të vendit dhe klimën e biznesit, bazuar edhe në studimin e Korporatës Financiare Ndërkombëtare IFC të Bankës Botërore. Kryeministri Edi Rama tha se “Shqipëria nuk i ka më burimet e vjetra si paratë e sjella nga emigrantët dhe as bumin e ndërtimeve, prandaj duhet të investojë fort në burime të reja rritje si bujqësia, turizmi, nafta, gazi, uji, dhe çdo industri prodhuese e përpunuese”.

Në konferencë mori pjesë edhe ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, i cili theksoi se sfida aktuale e Shqipërisë është rritja e punësimit dhe e investimeve të huaja. “Një nga problemet themelore të ekonomisë shqiptare është ulja e kërkesës. Tregu nuk është i madh, papunësia është shumë e lartë. Rrugëdalja është shtimi i investimeve të huaja dhe e punësimit, bazuar në idenë se shqipëria është një vend më i mirë për biznes, ku ka më shumë transparencë dhe më shumë qartësi e respekt mbi kontratat tregtare” - tha ambasadori Arvizu.

Indeksi i Biznesit zbuloi se niveli i sigurisë u rrit, por po aq u përkeqësua edhe klima e brendshme politike, gjendja e pronës private dhe asaj intelektuale. Për këtë vit, Indeksi i Biznesit me firmat e Dhomës amerikane të tregtisë shënoi se ecuria e ekonomisë është duke u përmirësuar me 6 për qind, po ashtu si shërbimet dhe eksporti. Anketa zbuloi për këtë vit se shumica e firmave të anketuara po mbajnë të njëjtin numër punëtorësh dhe një pjesë po bëjnë shkurtime. Po ashtu, firmat po mbajnë të njëjtin nivel investimi dhe disa po i ulin ato.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG