Lidhje

Rama: Përmirësime në rend dhe ekonomi


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në mbrëmje se rendi publik dhe ekonomia po përmirësohen gradualisht falë këmbënguljes së administratës së re për të rritur transparencën mbi veprimet shtetërore. Kryeministri Rama i bëri komente gjatë një bisede në televizionin Klan, ku theksoi se është përgjysmuar numri i krimeve krahasuar me një vit më parë, dhe se brenda 300 ditëve policia do të kthehet në krye të detyrës.

Ekonomia ishte një tjetër fushë kryesore e komenteve të kryeministrit Rama, ku në qendër të vëmendjes u vendosën borxhet dhe taksat. Ai tha se marrëveshja me FMN përcakton objektiva dhe vëzhgim të rreptë për shlyerjen e borxheve dhe rritje ekonomike. Po ashtu, marrëveshja përcakton edhe disa reforma strukturore.

Zoti Rama tha se, duke nisur nga ky vit, qeveria do të shlyejë një mori borxhesh ndaj kompanive private për shërbimet publike, që ato kanë kryer. Ai tha se këto borxhe kanë bllokuar zinxhirin e ekonomisë së vendit, dhe se pagimi i tyre do të gjallërojë punësimin dhe veprimtarinë prodhuese në tërësi.

Partia Demokratike e opozitës deklaroi ndërkohë se statistikat e publikuara së fundi nga qeveria mbi krizën ekonomike janë modifikuar për qëllime politike. Qeveria dhe opozita kanë një përplasje të vazhdueshme lidhur me projektet dhe me informacionin mbi ekonominë. Ato vazhdimisht përgënjeshtrojnë shifrat e njëra-tjetrës mbi gjendjen e ekonomisë, dhe shkëmbejnë kritika për mënyrat e menaxhimit të situatës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG