Lidhje

Interpelancë e Km. Rama mbi policinë dhe krimin


Duke renditur një seri detajesh administrative, kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një interpelance me opozitën në mbrëmje se në emërimet e drejtuesve të rinj të policisë shqiptare janë përmbushur të gjitha kriteret e shkollimit, profesionalizmit dhe përvojës në detyrë. Ky ishte fjalimi i tij i dytë brenda natës para ligjvënësve, pas atij mbi integrimin e vendit. Kryeministri Rama tha se deri tani janë goditur 5 grupe kriminale dhe 20 persona sot janë të izoluar. Sipas tij, qeveria po tregon një vëmendje dhe përkushtim të vecantë në goditjen e korrupsionit në administratë dhe kriminalitetit.

“Kemi gjetur mbështetjen e plotë, dhe më shumë se mbështetjen e plotë; një dëshirë për të inkurajuar qeverinë e re, që të vazhdojë në drejtimin që ka përcaktuar dhe të thellojë ende më shumë luftën, që ka hapur, në radhë të parë me krimin dhe korrupsionin dhe sigurisht në afat të gjatë me gjithë pasojat e rrënimit të përgjithshëm të vendit, në radhë të parë të rrënimit ekonomik dhe social të tij” - tha zoti Rama.

Të dhënat e policisë tregojnë që vetëm gjatë një jave në nëntor u arrestuan më shumë shtetas shqiptarë të kërkuar nga gjykatat e vendeve të tjera, sesa në gjithë vitin. Sipas zotit Rama ka ndodhur një ndryshim rrënjësor në kulturën e qeverisjes, e cila edhe kjo e afron më shumë Shqipërinë me Europën.


“Sa më shumë takime të bëjmë me opozitën, aq më shumë mundësi na jepen për të kuptuar sesa më të lehtë e kemi që të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin... E rëndësishme është që ne jemi shumë të vendosur për gjithëpërfshirje. Ne jemi shumë të vendosur për transparencë. Gjithëpërfshirja dhe transparenca janë kyç në këtë proces” - tha zoti Rama.

Opozita akuzoi qeverinë se kishte emëruar në postet më të larta drejtuese të policisë njerëz pa shkollimin dhe përvojën e kërkuar nga kriteret ligjore. Partia Demokratike deklaroi se zyrtarët e papërgatitur që u emëruan në fakt zëvendësuan drejtues policie me përvojë dhe se ky ishte një spastrim i motivuar politikisht, ngaqë po ktheheshin në polici militantë të Partisë Socialiste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG