Lidhje

Kryeministri Rama konferencë online për qeverisjen


Zoti Rama tha se çdokush që është në detyrë falë meritës nuk duhet të trembet për largimin nga puna.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e re është e gatshme që të bëjë kallëzim penal për ish-zyrtarë nëse do të zbulojë afera korruptive. Zoti Rama zhvilloi dje një konferenë online në internet ku theksoi lufta ndaj korrupsionit në institucionet shtetërore të të gjitha niveleve do të kryhet nga shumica e re socialiste duke reformuar strukturat dhe duke goditur të korruptuarit. Në përgjigje të më shumë se 50 qytetarëve kryeministri Rama tha që qeveria e re nuk shpall dënime për korrupsion dhe as jep falje, por lufta kundër kësaj dukurie do të jetë frontale. Nga ana tjetër ai theksoi se gjendja do të ndryshojë edhe në sistemin gjyqësor, dhe se shumë shpejt nis punën një grup ekspertësh për të çuar më tej reformën në drejtësi.

Kryeministri Rama i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe gjendjes së shkollave dhe universiteteve, duke theksuar se transparenca dhe vërtetësia e provimeve do të vëzhgohet në thellësi. Ai tha se programi i qeverisë dhe plani i veprimit i ministres së arsimit janë shumë inkurajues dhe se matura shtetërore do të reformohet në funksion të konkurrencës dhe meritës. Zoti Rama tha se çdo vajzë e djalë që ka kryer studime për mësuesi dhe çdokush që dëshiron të bëhet mësues do të ketë shansin të konkurrojë, dhe se koha e ngjyrimit politik të mësuesve ka mbaruar. Kryeministri Rama shpjegoi se nëpër shkolla nuk do të ketë veprimtari tregtare, sepse ato janë shumë problematike dhe dëmtojnë cilësinë e shkollës. “Dyqanet në shkolla janë një dukuri e papranueshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe edukativ të nxënësve” - tha ai.

Në lidhje me shkarkimet në administratë, kryeministri Rama tha se çdokush që është në detyrë falë meritës nuk duhet të trembet për largimin nga puna, dhe se shumica e re socialiste nuk do të pastrojë administratën nga njerëzit por shtetin nga korrupsioni. “Çdo shërbëtor i këtij shteti që është në detyrë falë meritës do të qëndrojë në detyrë dhe do të respektohet shumë më tepër se deri sot” - tha zoti Rama, - dhe se gjithkujt do t'i jepet mundësia të konkurrojë për punësimet në administratë, për të cilat do të ketë vazhdimisht njoftime publike. Zoti Rama komentoi edhe vendimin për të shtyrë zbatimin e ligjit për statusin e nëpunësit civil, duke thënë se ligji në fjalë është i pazbatueshëm për mungesë aktesh nënligjore dhe ky vakuum është, sipas tij, i rrezikshëm.

Partia Demokratike e opozitës deklaroi nga ana e saj se vendimi i qeverisë për të shtyrë efektet e ligjit për nëpunësin civil është një goditje e mirëkuptimit politik dhe rikthen konfliktin politik. Kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha tha se kështu qeveria po mundëson spastrimet në administratën shtetërore. Zoti Basha tha se opozita nuk e pranon këtë shtyrje që bëri qeveria, sepse kjo godet mirëkuptimin politik të arritur, ndaj grupi parlamentar opozitar mblidhet sot me aleatët për qëndrime të mëtejshme. Ligji për statusin e nëpunësit civil u miratua me tre të pestat nga parlamenti i kaluar në ditët e fundit para zgjedhjeve për të hyrë në fuqi në 1 tetor, duke u siguruar për herë të parë një mbrojtje të fortë punonjësve të administratës shtetërore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG