Lidhje

Parlamenti miratoi shkurtimin e buxhetit


Kryeministri Rama drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Ekonomisë

Parlamenti në Tiranë miratoi në mbrëmje shkurtimin e shpenzimeve në ligjin e buxhetit të shtetit pas një seance diskutimesh të ndezura pro dhe kundër mbi gjendjen e ekonomisë dhe financave shqiptare. Ndryshimet në ligjin e buxhetit u bënë me një akt normativ të qeverisë për miratimin e të cilit shumica e re i kishte votat për ta miratuar.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në parlament se arka e shtetit është bosh. Ndërsa deputetët vazhdonin debatet mbi financat dhe ekonominë, ai drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Ekonomisë, ku morën pjesë drejtues bankash, ekspertë vendas e të huaj. Zoti Rama tha se është i domosdoshëm një plan afatshkurtër për të shlyer borxhet e shumta të qeverisë ndaj palëve të treta dhe qëndrueshmëria e ekonomisë në një plan afatmesëm. Nga takimi u njoftua ngritja e një zyre për të denoncuar shkeljet dhe korrupsionin e administratës shtetërore e tatimore, ndërsa pjesëmarrësve iu dorëzua një projekt për rigjallërimin e ekonomisë, mbi të cilin mund të mbështeten gjithë propozimet e tjera.

Parlamenti diskutoi për shumë orë shkurtimin e shpenzimeve nga mosrealizimet e buxhetit, ndërsa qeveria deklaroi se ekonomia dhe financat publike janë në gjendje të vështirë, se qeveria Berisha parashikoi 4 për qind rritje ekonomike, por rritja ekonomike nuk mund të jetë më shumë se 1,2 për qind. Qeveritarët thanë se kanë si shqetësim themelor që të rimarrë nën kontroll financat dhe borxhin publik dhe të ulë borxhet në një plan afatmesëm. Por ish-ministri i financave, Ridvan Bode, deputet i Partisë Demokratike të opozitës, tha se ndryshe nga realiteti i njohur nga ekspertët ndërkombëtarë, socialistët po përpiqen të paraqesin një ekonomi të dobët dhe problematike, sipas parimit të tyre për të bërë të paqena rezultatet pozitive. Pas një debati të gjatë me shumë diskutime, shumica miratoi ndryshimet në buxhetin aktual, ndërsa qeveria po harton projekt-buxhetin e ri për vitin e ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG