Lidhje

Rama dhe Vuçiç - përplasen për Kosovën

  • Armand Mero

Vizita e parë në Beograd e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, u përshkua nga mospajtimet thella që ekzistojnë ndërmjet Beogradit e Tiranës për Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç u përplasën në Beograd për shkak të Kosovës . Mikpritësi serbe e cilësoi si provokim deklaratën e kryeministrit Rama në një konferencë të përbashkët me gazetarë "pavarësia e Kosovës është realitet i pamohueshëm, i cili duhet respektuar si i tillë” dhe se “pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm”.

Kryeministri serb tha se nuk e ka pritur këtë “provokim nga zoti Rama që e përmend Kosovën dhe nuk e di çfarë lidhjeje ka Kosova me zotin Rama, më vjen keq që e ka ngritur këtë çështje, për të cilën nuk jemi marrë vesh”, tha ai, duke theksuar se “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë".

Ndërsa kryeministri Rama tha se pavarësia e Kosovës është “realitet që shumë e kanë njohur. Sa më parë që ta njihni aq më shpejtë do të ecim përpara” i tha ai mikpritësit të tij.

Më herët kryeministri serb tha se vizita e shefit të qeverisë së Shqipërisë në Serbi është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë dhe për Serbinë dhe për gjithë rajonin.

Ndërsa kryeministri Rama, foli mes tjerash foli për rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë dhe siç u shpreh “që fëmijët të mos vuajnë në të ardhmen, për shkak të së shkuarës së hidhur”.

Vizita e sotme e zotit Rama në Beograd shënon të parën e një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh.

Vizita e sotme po zhvillohet në një klimë tensioni mes dy vendeve, pas ngjarjeve në stadiumin e Beogradit 14 tetorin e kaluar, të cilat u pasuan nga një shkëmbim i fortë akuzash mes palëve.

Deri përpara ndeshjes, kur planet ishin që vizita të zhvillohej më 22 tetor, elementi që vihej në dukje ishte ajo e vizitës që realizohej për herë të parë pas vizitës së Enver Hoxhës në Beograd 68 vjet më parë.

Marrëdhëniet mes dy shteteve prej kohësh ishin mbajtur në nivel korrekt diplomatik, duke u ndikuar më së shumti nga temperaturat mes Beogradit dhe Prishtinës, apo zhvillimet e papritura në Luginën e Preshevës. Dialogu me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian mes Serbisë dhe Kosovës ishte një peshë më pak në përpjekjet për të ndërtuar një tjetër raport mes palëve. Shumëkush e kishte cilësuar edhe “historike” vizitën e 22 tetorit, dhe vetë pala shqiptare kishte folur për “hapjen e një kapitulli të ri me Serbinë”.

Por klima e helmuar nga gjuha e rëndë e përdorur pas incidenteve në ndeshjen e futbollit, veçanërisht deklaratat fyese të presidentit serb Nikoliç, duket se e bën të vështirë këtë objektiv. Në rastin më të mirë, vizita është një mundësi që së paku fletët e kapitullit të marrëdhënieve mes dy vendeve të mos vazhdojnë të kthehen pas, apo një përpjekje për të qepur plagën e hapur, e cila për t’u mbyllur duhet të kurohet me qetësinë e dialogut dhe jo duke u ngacmuar herë pas here me retorikat e nacionalizmit.

Kryeministri Rama duket më në avantazh, ndërsa për asnjë moment nuk u tërhoq nga ideja për të vizituar kryeqytetin serb, ku në të kundërt, duket se u bë gjithçka për të çuar në dështimin e saj. Në të vërtetë, ishte trysnia e komunitetit ndërkombëtar ajo që bëri që vizita vetëm të shtyhej për disa javë. Deklaratat e autoriteteve serbe, që kanë paraprirë vizitën, kanë lënë pikërisht shijen e diçkaje që janë të detyruar ta bëjnë më shumë se sa e dëshirojnë.

Ndërkohë që një etapë jo pak e rëndësishme për kryeministrin Rama do të jetë edhe vizita e tij të martën në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, zonë e banuar nga një shumicë shqiptarësh, një vizitë, konfirmimi i së cilës është mbajtur gjatë pezull nga ana e autoriteteve të Beogradit. Kryeministri shqiptar, i pari zyrtar i një niveli të tillë që viziton komunat shqiptare atje, pritet të ketë takime me drejtuesit lokal shqiptarë dhe popullsinë e atjeshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG