Lidhje

Protesta në Shkodër gjatë vizitës së Kryeministrit Rama

  • Pëllumb Sulo

Në qytetin e Shkodrës policia ndërhyri rreth mesditës së sotme për të shpërndarë protestën e një grupi banorësh, banesat dhe objektet e të cilëve pritet të prishen nga ndërtimi i stadiumit të qytetit.

Banorët ishin mbledhur përpara pallatit të lojrave me dorë, në pritje të Kryeministri Edi Rama, i cili kishte programuar një takim me banorët e Shkodrës, për shpërndarjen e rreth 700 tapive, të objekteve të legalizuara së fundmi.

Policia bllokoi pllakatat, me të cilat banorët kërkonin të protestonin, gjë që coi në acarimin e mëtejshëm të situatës. Me mbërritjen e Kryeministrit Rama, nuk pati reagime të banorëve protestues, ndërkohë që në përfundim të takimit, që zgjati rreth një orë, Kryeministri Rama u takua me banoret protestues, duke u premtuar se nuk do të ketë ndërhyrje në banesat e tyre, pa përfunduar më parë procesi i kompensimit.

"Duhet të jeni shumë të qetë në një pikë që, procesi i shpronësimit do të fillojë e do të kryhet, dhe pastaj do të bëhet prishja për ato pjesë, që do të duhet të prishen për të krijuar hapësira. Kështuqë, nuk ka lidhje me çfarë dua unë, ka lidhje me çfarë duhet të bëjmë që stadiumi të transformohet dhe të arrijë në parametrat që kërkon UEFA. Ndryshe, këtu nuk bëhen dot ndeshje ndërkombëtare".

Pas ndërtimit të stadiumit të qytetit të Elbasanit, Kryeministri Edi Rama, premtoi ndërtimin, deri në muajin tetor të vitit të ardhshëm, të stadiumit të qytetit të Shkodrës, sipas të gjithë parametrave të kërkuara nga UEFA për luajtjen e ndeshjeve ndërkombëtare si dhe zhvillimin në këtë stadium të ndeshjes së kthimit Shqipëri-Serbi.

XS
SM
MD
LG