Lidhje

Intervistë me kryetarin e Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama

  • Ilirian Agolli

Qeverisja e vendit ka nevojë për një rilindje të gjithanshme, në ekonomi, drejtësi, antikorrupsion dhe mbrojtje sociale, tha zoti Rama

Zëri i Amerikës: Zoti Rama! Si do ta karakterizonit vitin 2012 nga këndvështrimi ekonomik, politik dhe social?

Edi Rama: Për vendin ishte një vit i vështirë me një rënie dramatike ekonomike, me një borxh publik të rritur përtej mundësisë që ka vendi për ta përballuar borxhin, me një sipërmarrje të tkurrur shumë ndjeshëm, me një borxh të njerëzve në vështirësi ndaj dyqaneve të ushqimeve në rendin e rreth 150 milionë eurove, me disa politika shumë të dëmshme për vendin, të cilat kanë sjellë humbje jashtëzakonisht të rëndësishme të pasurisë së përbashkët dhe me një dështim të radhës në marrjen e statusit kandidat, apo mosmarrjen e statusit të kandidatit nga Bashkimi Europian.

Zëri i Amerikës: Në gjithë këto vështirësi që përmendët, cili ka qenë kontributi juaj, oponenca dhe rezistenca juaj që gjërat të mos shkonin aq keq sa po i përshkruani ju?



Edi Rama: Për sa i përket bilancit tonë, besoj që kemi një bilanc pozitiv në kuptimin e paraqitjes së një alternative të besueshme përpara shqiptarëve, për një rilindje shqiptare përkundër rrënimit të mëtejshëm. Kemi bërë gjithçka kemi patur në dorë për të kaluar në parlament një numër të konsiderueshëm ligjesh me shumicë të cilësuar. Kemi parë me kënaqësi që pjesa e detyrimeve të realizuara të Shqipërisë në raport me axhendën europiane është ajo pjesë ku është i qenësishëm kontributi i opozitës. Padyshim kemi arsye të gëzohemi për rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes në radhët e Partisë Socialiste me prurje të reja të të gjitha moshave, për rritjen e pjesëmarrjes së grave përmes ristrukturimit të Forumit të Gruas, për rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes së të rinjve përmes ristrukturimit të Forumit Rinor Eurosocialist.

Zëri i Amerikës: E nisëm me ekonominë dhe po e vazhdojmë tek ekonomia, ku është edhe interesi kryesor i qytetarëve. Një vit i vështirë, siç thatë ju, me borxhe të shtuara, me kreditime dhe investime të pakësuara. Çfarë shkoi keq? Ku mendoni ju se qëndron burimi i kësaj problematike?

Edi Rama: Fatkeqësisht janë provuar një më një të gjitha parashikimet tona për këtë rënie, sepse nuk janë dëgjuar parashikimet tona. Në vitin 2009 ne kemi bërë një aktivitet, që unë e çmoj si fort të rëndësishëm për të kuptuar atë që ka ndodhur, por edhe dallimin mes palëve, ku kemi adresuar domosdoshmërinë për të hapur sytë katër përballë krizës dhe për të mos lejuar që kriza ta gjente krejtësisht të lirë terrenin e veprimit. Por nga ana tjetër, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se Shqipëria nuk vuan sot krizën financiare globale, por vuan përkimin e kësaj krize me shterrimin e një modeli ekonomik dhe social zhvillimi, që nuk ka më se çfarë i jep vendit.

Zëri i Amerikës: Pati disa vite që qeveria nuk e pranoi se kriza ekonomike ishte e pranishme, sipas jush, kjo i vonoi masat parandaluese?

Edi Rama: Ka dy anë: mospranimi i krizës dhe përpjekja për ta mbuluar krizën me propagandë, por edhe vijimi me të njëjtat politika a thua se s’ka krizë. Kjo sjellje ka shterruar forcat dhe sot vendi është tërësisht i zbuluar, i pambrojtur dhe i rrënuar përballë dallgës së krizës. Kriza është e dyanshme: sa është efekti i krizës financiare globale, që, ndër të tjera, pasqyrohet në rënien dramatike të dërgesave të emigrantëve, aq edhe përkimi i kësaj krize me shterrimin e një modeli ekonomik që nuk ka çfarë i jep më vendit. Mos harrojmë se ka një sërë sektorësh që sot janë në krizë të thellë siç është sektori i ndërtimit që ishte një sektor kryesor në atë rritje ekonomike të një numri të konsiderueshëm vitesh, e cila nuk mund të vazhdonte të ishte e tillë më tutje.

Zëri i Amerikës: Analistë kritikë nga shumica dhe opozita thonë që ndërsa qeveria e ka çuar “in extremis” entuziazmin mbi rezultatet e punës së vet, nga ana tjetër edhe opozita mund të kritikohet për nihilizëm apo skepticizëm “in ekstremis”. Çfarë meritash, apo çfarë rezultatesh i njihni ju qeverisë në punën e saj?

Edi Rama: Në rast se unë do të bëja një sforco për të njohur diçka në përpjekjet e kësaj qeverie, besoj se çka mund të veçohet si pozitive i përket vitit të parë të mandatit të parë. Midis vitit 2005 dhe fundvitit 2006 janë marrë disa masa të rëndësishme që mund të konsiderohen si pozitive. Por me vendosjen e taksës së sheshtë besoj që ka filluar edhe një proces rrënimi, i cili ka rritur nga njëra anë barrën fiskale mbi njerëzit e zakonshëm dhe praktikisht ka bërë një spostim të barrës së përgjithshme fiskale në vend nga korporatat tek konsumatorët. Sot çdo njeri i zakonshëm, çdo rrogëtar, çdo njeri që merr një rrogë për një punë në sektorin publik apo privat taksohet më shumë se sa pesë vjet më parë, pra, para vendosjes së taksës së sheshtë. Nëse deri atëherë paguante për shtetin 32 lekë në 100 lekë, sot paguan 38 lekë në 100 lekë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ju keni paraqitur dhe po shfaqni projektin tuaj të ri për një rilindje të Shqipërisë. Siç u shprehët ju, ekonomia dhe shoqëria shqiptare kanë probleme të shumta. Si do ta kryeni këtë kapërcim me reforma nga e njëjta bazë problematike?

Edi Rama: Duke ndryshuar rrënjësisht politikën në raport me pasurinë, në raport me pasurinë e përbashkët në radhë të parë. Ajo është sot praktikisht një mall pa zot, që po grabitet dhe po shkatërrohet. Ne kemi sektorë strategjikë që sot janë në lëngim agonie; sektori energjitik, sektori i naftës, sektori i pasurive minerare. Ndërsa mbi tokë kemi pastaj një problematikë të tërë që lidhet më dërrmimin e mjedisit në kushtet kur ne duam të zhvillojmë turizmin, që lidhet më dërrmimin e tokës së bukës në kushtet kur në duam të zhvillojmë bujqësinë, që lidhet me shumë hallka të tjera të një zinxhiri, që duhet këputur dhe duhet ndërtuar mbi bazën e një politike të re, e cila me patjetër duhet të bazohet në vlerat dhe parimet e një të majte progresiste të shekullit të ri. Një e majtë e tillë nuk është peng i ideologjisë së të majtës klasike, sepse kohët kanë ndryshuar, por që është pragmatiste dhe efektive në masat e saj.

Zëri i Amerikës: Nga ekonomia po kalojmë tek korrupsioni dhe disa mendime tuajat për reformat në drejtësi. Tashmë Këshilli i Lartë i Drejtësisë është thuajse krejtësisht i ri, duke filluar nga presidenti, nënkryetari dhe disa anëtarë. Po ashtu, sapo është zgjedhur edhe një prokuror i ri i përgjithshëm, etj. Sipas jush, sa shpresëdhënëse janë këto ndryshime në krye të drejtësisë për të përmirësuar punën e sistemit të drejtësisë?

Edi Rama: Le ta themi hapur, Shqipëria sot e ka Presidentin e Republikës pjesë të ekzekutivit, një nga ministrat. Ndërkohë, që sistemi drejtësisë vetëm degradohet. Jemi përpara mbylljes së një viti ku ka nga njëra anë ka rezultuar me falje gjithë procesi i tragjedisë së Gërdecit dhe nga ana tjetër po rezulton një farsë e pashoqe procesi i tragjedisë së 21 janarit. Këto janë dy tragjedi që ky vend duhet t’i zgjidhë në mënyrë të drejtë, për të shpresuar të ketë drejtësi. Po ashtu jemi përpara mbylljes së një viti kur edhe një herë tjetër është çimentuar qartësisht ende më kultura e pandëshkueshmërisë, me faktin që sot Shqipëria nuk është në gjendje të japë asnjë provë të besueshme në Bruksel se i ka aftësitë për ta luftuar korrupsionin, se i ka aftësitë për të prerë lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisë, lidhje të përcaktuara edhe në raportin e Departamentit të Shtetit, dhe se i ka aftësitë për të ndërtuar një kulturë ndëshkueshmërie, bazuar në parimin se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë. Kjo është edhe një nga arësyet themelore të refuzimit të aplikimit për statusin e vendit kandidat.

Zëri i Amerikës: Përtej këtij konstatimi, cili do të ishte kontributi juaj? Shumica ju ka akuzuar se ju e keni patur në dorë të jepni kontributin tuaj në miratimin e ligjeve reformuese për Gjykatën e Lartë, për Gjykatën Administrative, heqja e imuniteteve të zyrtarëve etj, dhe ju i keni frenuar dhe ngadalësuar këto reforma, sipas tyre.

Edi Rama: Ne nuk kemi bërë asnjë frenim. Unë nuk besoj për asnjë sekondë se Shqipërinë e pengon ligji i shkruar në letër. Përkundrazi, unë besoj se në letër ne kemi një vend shumë të përparuar. Por ajo që e ndan Shqipërinë nga bota ku duam të integrohemi sot e gjithë ditën është hendeku mes çfarë kemi të shkruar në letër si ligje dhe çfarë kemi në realitet si zbatueshmëri të ligjit. Sot ne kemi një vend ku një përqindje shumë e lartë qytetarësh, përqindja më e madhe që unë kam parë në të gjithë sondazhet vit pas viti, duke lënë mënjanë vitin 1997, i cili ishte viti i pasigurisë totale, pra një përqindje e lartë e qytetarëve beson se në këtë vend nuk ka asnjë siguri dhe se praktikisht vendin e ka marrë në dorë krimi i rrugës. Po ashtu, shohim se ka një dhunë të shpërfaqur nga të katër anët me ngjarje makabre thuajse të përditshme, që tregon se jetojmë në një vend që është në krizë të gjithanshme. Është në një proces rrënimi të vazhdueshëm. Ky rrënim duhet të mbarojë dhe është detyra jonë si një aspiratë e përbashkët, jo si detyrë e një partie apo e një pale, që të krijojmë kushtet për një rilindje shqiptare. Kjo do të thotë rimëkëmbje ekonomike, e cila, veç të tjerash duhet të fillojë mbi bazën e një parimi shumë të thjeshtë që kush fiton më shumë të paguajë më shumë, dhe kush fiton më pak të paguajë më pak dhe jo e kundërta. Kjo rilindje do të thotë një përtëritje shoqërore, ku të ndërtojmë shërbime publike sipas nevojave, jo sipas xhepit. Për një rilindje, që do të thotë rivendoje e demokracisë, ku t’i japim sens institucioneve dhe ndarjes së pushteteve. Për një rilindje që do të thotë një bashkim me Europën në kuptimin më të thjeshtë dhe më domethënës të kësaj fjale.

Zëri i Amerikës: Gjatë kësaj kohe opozita ka qenë përballë një shumice me shifra të brishta dhe nuk shfrytëzoi aleanca fluide. Për vitin tjetër që po afrohet bashkë me zgjedhjet, çfarë mund të thoni për zgjerimin e koalicionit opozitar. Është thënë shpesh nga disa analistë që, nëse partitë e vogla do të bashkohen përreth Partisë Socialiste fitorja do të ishte e parashikueshme.

Edi Rama: Ne jemi të bindur se viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit dhe se zgjedhjet e 23 qershorit do ta mbyllin kapitullin e rrënimit të mëtejshëm, që është i lidhur me këtë keq-qeverisje. Ne do të krijojmë kushte për të hapur një kapitull të ri. nuk jemi në një normalitet demokratik, ku mund të kemi luksin që të kemi disa opozita. Jemi në një anormalitet demokratik, ku rotacioni politik është një domosdoshmëri, dhe madje është e para domosdoshmëri. Kjo do të thotë që janë kushtet për të krijuar një aleancë që shkon përtej dallimeve programore me synimin e garantimit të rotacionit. Për këtë arsye ne jemi tërësisht të hapur dhe mirëpresim çdo factor politik, që është i gatshëm të kontribuojë për rotacionin dhe për të hapur rrugën që Shqipëria t’i rikthehet një normaliteti, ku secili të ndjehet pak më mirë dhe më i lehtësuar në vendin e vet.

Zëri i Amerikës: Së fundi, cili është mesazhi juaj i urimit këtë fund viti për shikuesit e “Zërit të Amerikës” dhe për qytetarët shqiptarë?

Edi Rama: Urimi për “Zërin e Amerikës” është gjithmonë i njëjti; të vazhdojë të jetë kjo dritare që është, ku publiku të mund të shohë ngjarjet, protagonistët dhe të ndjekë sigurisht edhe analizat, pa u ndjerë i trysnuar nga varësia apo nga anësia. Kjo e ka bërë “Zërin e Amerikës” një dritare për t’u marrë shembull, dhe urimi është që kjo dritare të vazhdojë të mbetet e tillë. Ndërkohë që, përmes dritares së “Zërit të Amerikës” unë do të doja t’ju uroja gjithë shqiptarëve një vit të ri të gëzuar me më shumë mundësira, me më shumë punësim, me më shumë kujdes për fëmijët dhe për të moshuarit nga ana e shtetit. Në fund ju uroj që të jetë viti i ndryshimit për të mirën e të gjithëve; për të mirën e njerëzve të zakonshëm, qofshin socialistë apo demokratë, apo çfarëdoqofshin në përkatësitë e tyre politike, por edhe për të mirën e Partisë Demokratike, e cila ka nevojë që të rikthehet në opozitë për t’u ribërë parti e atyre vlerave dhe shpresave që sot janë tërësisht të braktisura prej saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG