Lidhje

Kryeministri Rama kërkon mbështetje nga mjekët


Rama: “Kemi një sistem shëndetësor me një tumor të madh dhe shumë agresiv, si ai i korrupsionit".

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u bëri thirrje mjekëve shqiptarë të shkolluar dhe punësuar jashtë vendit që të ndihmojnë reformimin e sistemit shëndetësor kombëtar. Ai zhvilloi në mbrëmje një takim me mjekë të njohur shqiptarë jashtë vendit, për të shkëmbyer mendime mbi shndërrimin e sistemit shëndetësor në një shërbim dinjitoz, i cili sipas tij, tashmë është në agoni.

Kryeministri Rama tha se shqiptarët profesionistë jashtë vendit janë një pasuri e madhe për atdheun e tyre, sidomos që të ndihmojnë në fushën e mjekësisë, e cila, sipas tij, po përjeton një rrënim institucional të patolerueshëm dhe ku ndërhyrja është mëse e ngutshme. Zoti Rama tha se sistemi shëndetësor shqiptar ka nevojë të kurohet, sidomos nga korrupsioni.

“Një sistem ku sot kemi të bëjmë me një tumor të madh dhe shumë agresiv, si ai i korrupsionit që e mban peng të ardhmen e Shqipërisë, por në veçanti të ardhmen e këtij sistemi. Ne besojmë në dy terapi të mundshme në betejën me këtë sëmundje; autonomia dhe transparenca” - tha ai.

Zoti Rama tha se qeveria shqiptare do të bënte shumëçka që këta mjekë të kthehen sa më shpesh në atdhe dhe të mbështesin rindërtimin e shërbimit shëndetësor. Kushtet e punës në shumë spitale janë të dobëta, pajisjet janë të pamjaftueshme, theksoi kryeministri Rama, por edhe arsimimi mjekësor dhe kërkimi shkencor janë në vështirësi. Ai kërkoi bashkëpunimin e mjekëve shqiptarë në diasporë për të ndryshuar këtë gjendje të trashëguar.

Qeveria e re mendon se shëndetësia shqiptare ka nevojë për autonomi spitalore, transparencë, decentralizim të kompetencave dhe të administrimit. Një synim i rëndësishëm i saj është sistemi shëndetësor universal, i cili, sipas programit qeveritar, mund t’u ofrohet të gjithëve, kur financohet nga sistemi i taksimit të përgjithshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG