Lidhje

Shqipëria dënon dhunën e ISIL-it


Rama: Ne do të bëjmë gjithçka mundemi, krahë për krahë me aleatët tanë dhe nën lidershipin e Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në parlament se Shqipëria, ashtu si çdo vend i NATO-s, dënon me forcën më të madhe aktet e dhunshme të ISIL-it. Duke informuar parlamentin mbi Samitin e Uellsit, zoti Rama tha se Kosova, Mali i Zi, dhe Maqedonia duhen përfshirë sa më shpejt në mburojat euroatlantike, për t’i bërë këto vende të paarritshme për ambicjet e terrorizmit ndërkombëtar.

Zoti Rama tha se për Shqipërinë mbetet shqetësim fakti që, përballë rreziqeve nga terrorizmi i të ashtuquajturit Shtet Islamik, këto vende ballkanike janë jashtë kufijve të mbrojtjes kolektive të NATO-s.

"Dua të ritheksoj bindjen e plotë se ajo që ne e shohim nga televizori si një luftë shtazësh kundër njerëzve nuk zhvillohet larg, por zhvillohet kudo dhe është një luftë brenda shtëpisë tonë, brenda shtëpisë tonë në Europë, brenda shtëpisë tonë në Ballkan, brenda shtëpisë tonë në Shqipëri. E, për këtë arsye, është një luftë e cila na përket dhe për të cilën ne do të bëjmë gjithçka mundemi, krahë për krahë me aleatët tanë dhe nën lidershipin e Shteteve të Bashkuara, bazuar në strategjinë e shpallur nga Presidenti Obama, pak ditë më parë" - tha zoti Rama para ligjvënësve.

XS
SM
MD
LG