Lidhje

Ministrat e transporteve të Ballkanit, në Tiranë


Vendet e Ballkanit perëndimor po bashkërendojnë investimet e infrastrukturës për të lidhur rrjetet rrugore rajonale me rrjetin e Bashkimit Europian.

Në takimin e përvitshëm morën pjesë gjashtë ministra transporti të Ballkanit perëndimor; Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova.

Ministri shqiptar i transporteve, Edmond Haxhinasto, tha se Shqipërisë i duhen edhe rreth 1.2 miliardë investime rrugore në të ardhmen.

Deklarata e përbashkët e Brukselit solli krijimin e rrjetit bazë të transportit, i cili u hartua në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian.

Tashmë është përcaktuar edhe lista e korridoreve europiane, që do të zgjaten drejt Ballkanit dhe secili vend po investon në përputhje me planet europiane për zhvillimin e infrastrukturës.

Shqipëria në 5 vitet e fundit ka investuar 3.7 miliardë dollarë në infrastrukturë.

Veprat e fundit gjithsej 700 km kanë marrë afro 2 miliardë dollarë.

Aktualisht po ndërtohen mbikalimi i Milotit, anëkalimi i Fierit, ai i Vlorës, i Rrogozhinës, dhe segmenti Qukës - Qafë Pllocë, gjithsej 100 km të reja me vlerë 200 milionë euro.

Takimi i 11 vjetor i ministrave të transportit të Ballkanit është pjesë e Observatorit për Europën Juglindore, një organizatë, që mbështet transportin rajonal për të zhvilluar nyjet kryesore të infrastrukturës në rrjetin multimodal europian.

Rajoni po përpiqet të tërheqë sa më shumë nga programet e investimeve të Bashkimit Europian.

XS
SM
MD
LG