Lidhje

Kukan: Lufta ndaj korrupsionit do prova konkrete


Komiteti ndërparlamentar për marrëdhëniet BE - Shqipëri mbylli sot punimet dyditore në Tiranë, me një deklaratë ku kërkohet me forcë vazhdimi i luftës kundër korrupsionit dhe i dialogut të frytshëm politik mes partive kryesore. Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për vendet e Ballkanit, Eduard Kukan, tha se hapi tjetër shumë i rëndësishëm në rrugën drejt Europës dhe një ndihmesë shumë e madhe në të ardhmen europiane është që “Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë këtu zyrtarizimin e provave të besueshme në këtë luftë”. Sipas tij, Këshilli i Europës merr në dhjetor një vendim të rëndësishëm për Shqipërinë pas rekomandimit të Komisionit Europian.


“Parlamenti Europian i mbështet këto rekomandime, duke përfshirë edhe nevojën që dialogu politik të gjallërohet më tej dhe të sjellë sa më shpesh marrëveshje me mirëkuptim në të mirë të vendit” - tha zoti Kukan. Sipas tij, disa vende janë skeptike për kandidaturën e Shqipërisë, por ata janë miq të shqiptarëve dhe duan që Tirana të përparojë me detyrat e veta, duan të binden duke parë që bashkëpunimi mes partive shqiptare u përmirësua vërtet. “Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe ambicjet e saj europiane. Ne duam të shohim përpara së bashku me Shqipërinë” - theksoi ai.


Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Shqipëria u angazhua të përmirësojë ligjet kundër mafias dhe konfiskimin e pasurive kriminale, dhe të vazhdojë luftën kundër korrupsionit me raste konkrete, krahas reformimit të sistemit të drejtësisë. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, tha se opozita ngriti shqetësimet e veta lidhur me hapat e para të qeverisjes socialiste. Sipas tij, qeveria nuk po respekton shtetin e të drejtës dhe institucionet e pavarura, dhe po sjell shqetësim për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, megjithatë Shqipëria e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat dhe opozita i tërhoqi vërejtjet e veta, që deklarata e përbashkët të miratohej me mirëkuptim dhe pa probleme.


Komiteti i përbashkët parlamentar për marrëdhëniet BE - Shqipëri dështoi në dy takime të mëparshme për të nxjerrë deklarata të përbashkëta. Komisioni Europian rekomandoi në raportin e progresit që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, duke vazhduar të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

XS
SM
MD
LG