Lidhje

Vdes Eduard Shevardnadze


Ish-Presidenti i Gjeorgjisë, dhe ish-ministri i jashtëm sovjetik Eduard Shevardnadze vdiq sot në moshën 86 vjeçare. Ai ishte i njohur në botë si njeriu që ndihmoi për t'i dhënë fund Luftës së Ftohtë, ndërsa në vendin e tij ai ishte thjesht udhëheqësi, i cili dominoi në politikë për më shumë se 20 vjet dhe e përfundoi karrierën në poshtërim.

Eduard Shevardnadze u bë ministër i jashtëm i udhëheqësit të fundit sovjetik, Mikhail Gorbaçov në vitin 1985.

Ai luajti një rol jetik për t'i dhënë fund Luftës së Ftohtë, ndihmoi në negociatat për bashkimin e Gjermanisë dhe ishte fytyra diplomatike e reformave sovjetike gjatë periudhës si ministër i jashtëm.

Por emri që ai krijoi në këtë post ishte në kontrast të plotë me rolin e mëvonshëm si kreu i një vendi të Kaukazit prej 4.5 milionë banorësh i rrethuar nga një det vështirësish.

Kur Shevardnadze u kthye në Gjeorgji në vitin 1992, lufta civile e kishte shndrruar në gërmadhë qendrën e kryeqytetit Tbilisi dhe rajoni i Osetisë Jugore ishte përfshirë nga konflikti.

"Unë u ktheva në Gjeorgji në një kohë jashtëzakonisht të vështirë, në kulmin e luftës civile, kur vendi ishte i shkatërruar dhe në prag të katastrofës. Ne ishim në gjendje të bëjmë të pamundurën dhe e shpëtuam Gjeorgjinë," tha ai në një një nga fjalimet e tij.

Eduard Shevardnadze arriti përmirësime modeste ekonomike në krahasim ditët e errëta në fillim të viteve 1990. Megjithatë, vendi vazhdoi të vuante nga separatizmi, korrupsioni galopant dhe varfëria.

Shevardnadze i shpëtoi dy atentateve për ta vrarë.

Në vitin 2003, gati dy vjet para përfundimit të mandatit si president, ai u detyrua të largohej nga pushteti pas një muaj protestash të udhëhequra nga Mikheil Saakashvili, një avokat i arsimuar në ShBA.

Vitet e vështirësive ekonomike dhe të korrupsionit të përhapur e njollosën reputacionin e Shevardnadzes, politikat liberale të cilit, si ministër i jashtëm sovjetik, i dhanë atij emër në Perëndim.

XS
SM
MD
LG