Lidhje

Cili do të jetë fati i Edward Snowden?


Qeveria amerikane po heton nëse zbulimi i një programi shumë sekret përgjimi nga Edward Snowden përbënte një vepër penale. Snowden tha dje se ai ishte burimi i njoftimeve të shtypit sipas së cilave Agjencia e Sigurisë Kombëtare kishte monitoruar telefonatat dhe të dhënat e internetit për kërcënime terrorizmi, një program që administrata e Presidentit Obama thotë se i shërben sigurisë së amerikanëve nga terroristët. Ndërkohë, zyrtarët evropianë po analizojnë programet e përgjimit dhe nëse ato kanë shkelur mbrojtjen e privacisë. Qeveritë evropiane janë përpjekur të shpjegojnë nëse e kanë lejuar Uashingtonin të përgjojë qytetarët e tyre, apo nëse kanë përfituar nga marrja e informacionit që në këto vende do të kishte qenë e paligjshme. Vendndodhja e Snowdenit mbetet e panjohur ndërkohë që zyrtarët e Uashingtonit vazhduan të bëjnë thirrje për ekstradimin dhe arrestimin e tij të menjëhershëm.

Edward Snowden iku nga hoteli i Hong Kongut ku po qëndronte dje, një ditë pasi bëri të njohur identitetin e tij në gazetën britanike The Guardian. Ai kishte shkuar në territorin kinez më 20 maj, para se gazeta të botonte njoftime për monitorimin e telefonatave dhe të dhënave të internetit nga ana e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Phil Carter, një ekspert i sigurisë kombëtare është mes atyre që besojnë se veprimet e Snowdenit shkaktuan dëme serioze për sigurinë e vendit.

“Është një program tek i cili qeveria mbështetej për të parë një numër të madh të dhënash dhe për t’i kuptuar ato. Dhe ky është lloji i programit mund të përdoret si për të parandaluar komplote terroriste, por edhe për të parë se ç’bëjnë shërbimet e tjera të zbulimit, si edhe për të diktuar anomali të tjera që mund të lidhen me aktivitete kriminale në Shtetet e Bashkuara”.


Por Julian Assange, themeluesi i faqes së internetit WikiLeaks që botoi mijëra dokumenta diplomatike dhe raporte nga fusha e betejës në luftrat e Irakut dhe Afganistanit, i vlerësoi veprimet e Snowdenit.

“Edward Snowdon është një hero që ka informuar publikun për një nga ngjarjet më serioze të dekadës, siç është krijimi i një shteti përgjues që ka përfshirë tani, ka korruptuar gjykatat në Shtetet e Bashkuara. Jo vetëm kaq por ka përfshirë edhe kompanitë e teknologjisë së lartë si Google, Yahoo, Skype, Facebook etj, duke e shtrirë përgjimin në gjithë botën”.


Snowden e mori informacionin ndërsa punonte si ekspert teknologjie në firmën private Booz Allen Hamilton që kishte kontratë me Agjencinë Kombëtare të Sigurisë.

Hong Kongu mund ta kthejë Snowden mbrapsht në Shtetet e Bashkuara, në bazë të një traktati ekstradimi të nënshkruar me Uashingtonin në vitin 1996. Mbështetësit e Snowdenit, kanë hapur një fond për mbrojtjen ligjore të tij dhe kanë bërë një peticion në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, duke kërkuar falje presidenciale për të.


XS
SM
MD
LG