Lidhje

Egjipt: El-Sissi bën betimin si president

  • Edward Yeranian

Abdel Fattah el-Sissi bëri betimin si presidenti i tetë i Egjiptit, pas më pak se një viti nga rrëzimi nga pushteti i udhëheqësit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në vend, islamistit Mohamed Morsi.

Abdel Fattah el-Sissi bëri betimin në Gjykatën e Lartë të Egjiptit, në prani të anëtarëve të gjykatës së lartë, zyrtarëve dhe figurave të larta të vendit.

Një ceremoni zyrtare e kalimit të pushtetit u zhvillua në pallatin presidencial, ku Presidenti Sissi iu drejtua egjiptianëve dhe figurave të huaja.

I ballafaquar me revoltim në rritje pas ndërhyrjes së dhunshme të ushtrisë ndaj protestuesve dhe me një krizë të rëndë ekonomike, ish-shefi i ushtrisë premtoi të ndërtojë një vend më të qëndrueshëm pas tre vjet trazirash dhe bëri thirrje për forcimin e lirisë.

Presidenti Sissi këmbënguli se vendi ka nxjerrë mësime nga ato që i cilësoi si “dy revolucione” që nga 2011.

Ai thotë se ka ardhur koha që populli egjiptian të korrë përfitimet e revolucioneve, të paguara me gjak, djersë dhe lotë. Suksesi i këtyre revolucioneve, tha ai, qëndron në aftësinë për të arritur synimet dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të qëndrueshme dhe më të begatë.

Kushtetuta e Egjiptit thotë se presidenti duhet të bëjë betimin para parlamentit, por zoti Sissi e bëri betimin në mungesë të një parlamenti të zgjedhur me votë popullore. Parlamenti i përbërë kryesisht nga islamistë, i zgjedhur gjatë presidencës së Muhamed Morsit, u pezullua nga gjyqësori një vit më parë. Zgjedhjet për parlamentin e ri pritet të zhvillohen në mes të korrikut.

Udhëheqës të lartë arabë, përfshirë Mbretin Abdullah të Jordanisë, Emirin e Kuvajtit, Mbretin e Bahrenit, Princin Saudit Salam dhe Princin e Abu Dabit u pritën me roje nderi në pallatin presidencial.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dërguan delegacione të rangut të mesëm. Udhëheqësit e Turqisë dhe Katarit, me të cilat Egjipti ka marrëdhënie të tensionuara, nuk ishin të ftuar.
XS
SM
MD
LG