Lidhje

Vazhdon gjendja e tendosur në Egjipt


Kreu ushtarak i Egjiptit thotë se ushtria nuk do të qëndrojë në heshtje përballë dhunës, pas vrasjes së qindra njerëzve gjatë trazirave politike të kohëve të fundit.

Ai i bëri komentet ndërkohë që mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi marshonin drejt Gjykatës Kushtetuese të vendit, në Kajro.

Një aleancë islamike, që kundërshton rrëzimin e zotit Morsi nga ana e ushtrisë anuloi dy marshime të tjera proteste të planifikuara për sot, duke thënë se përgjatë trajektoreve të planifikuara ishin vendosur snajpera.

Shefi i Përgjithshëm i ushtrisë Abdel-Fatah el-Sissi tha se ushtria nuk ka ndërmend të marrë pushtetin dhe i bëri thirrje islamikëve t'i bashkohen procesit politik. Në komentet e tij të para publike që nga shtypja e javës së kaluar kundër kampeve të protestuesve, ai u tha oficerëve të ushtrisë dhe policisë se mesazhi i tij për mbështetësit e zoti Morsi është se "në Egjipt ka vend për të gjithë".

Ndërkaq, Bashkimi Evropian thotë se “do të shqyrtojë me urgjencë” marrëdhëniet e tij me Egjiptin, ku përleshjet vdekjeprurëse vazhdojnë mes forcave të sigurimit dhe përkrahësve të presidentit të përmbysur Mohamed Morsi.

Në një deklaratë të gjatë të përbashkët, të lëshuar sot nga kryetarët e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, thuhet se thirrjet për demokraci dhe të drejtat themelore “nuk mund të mospërfillen, aq më pak të zhduken me gjak”.

Jose Manuel Barroso dhe Herman Van Rompuy thanë se është përgjegjësia e ushtrisë dhe qeverisë së përkohëshme që t’i japin fund dhunës. Të dy udhëheqësit evropianë shprehën shqetësimin rreth ndikimit që mund të ketë dhuna në të gjithë rajonin.

Në zhvillime të tjera, dje shpërtheu një bombë jashtë konsullatës egjiptiane në qytetin lindor të Libisë, Bengazi.

Islamistët dhe demonstrues të tjerë kanë dalë në manifestime proteste edhe gjetkë në rajon kundër goditjes së qeverisë egjiptiane ndaj civilëve.

Disa mijëra arabë në Izrael valvitnin flamuj egjiptianë dhe mbanin në duar portrete të zotit Morsi dje në një marshim përmes qytetit
Nazareth.
XS
SM
MD
LG