Lidhje

Egjiptianët parashikojnë acarimin e krizës


Dhuna në Egjipt është përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit me sulme kundër forcave të sigurimit në mbarë vendin dhe me vrasjen e mbi 50 vetave në përleshjet mes policisë dhe protestuesve anti-qeveritarë. Disa analistë i shikojnë këto përleshje si kundërpërgjigje ndaj taktikave të rënda të ushtrisë, e cila përmbysi nga pushteti Presidentin islamik, Mohamed Morsi. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Arrott njofton nga Kairoja.

Dhuna që ka përfshirë Egjiptin po shkallëzohet me sulmet e militantëve kundër forcave të sigurimit dhe përleshjet mes policisë dhe protestuesve.
Disa ekspertë parashikojnë se kjo gjendje do të çojë në një fushatë shtypëse më të ashpër nga ushtria me pasoja shumë më të rënda.

“Shtypja nuk funksionon, natyrisht që nuk funksionon, por ajo është arma e vetme e pushtetit”.

Profesori i politikës publike në Universitetin Amerikan në Kairo, Emad Shahin mendon se udhëheqësit ushtarakë, të cilët krenohen me mbështetjen masive të popullit, po shfrytëzojnë momentin për një përballje finale me kundërshtarët e tyre për një kohë të gjatë.

“Ata mendojnë se plani me të cilin ata arritën të vepronin, për të mobilizuar zemërimin e njerzve kundër sundimit dhe administratës së zotit Morsi u ka dhënë atyre hov që të veprojnë dhe tani është momenti i përshtatshëm për të shtypur elementët islamikë”.

“Lufta kundër terrorit” e ushtrisë egjiptiane po zhvillohet kundër një spektri më të gjerë të islamistëve të Egjiptit: nga protestuesit paqësorë deri tek militantët e armatosur. Baza e xhihadistëve ndodhet në gadishullin e Sinait dhe ka mbështetje të vogël, por sulmet e tyre duket se po shtohen. Mustafa Labbad, drejtor i Qendrës Al Sharq për Studime Rajonale dhe Strategjike mendon se këto sulme mund të parandalohen.

“Gjykuar nga balanca e fuqisë, nuk mendoj se kemi të bëjmë me një luftë civile. Ne jemi përballë një konflikti, që do të vazhdojë për disa muaj, por balanca është qartazi në favor të ushtrisë”.

Fryma e mospërfilljes, që u shpalos në revolucionin e vitit 2011 në Egjipt mund të jetë një sfidë edhe më e madhe. Profesori Emad Shahin thekson një imazh që është parë nga të gjithë.

“Imagjinoni këtë vajzë 16 vjeçare, fotografia e saj është kudo, kur ajo bën shenjën ‘Rabaa’ në mbështetje të protestuesve para gjithë shkollës, para rojeve të sigurimit shtetëror në shkollë, që përpiqen t’i kërcënojnë ata. Një vajzë e vetme nuk lejon që të kërcënohet. Kjo është kultura e protestës që forcat e sigurisë nuk mund ta shtypin dot”.

Aktualisht, shumica e egjiptianëve mbështesin ushtrinë në fushatën e saj kundër protestuesve, por është e paqartë se sa mund të zgjasë kjo mbështetje.

“Pas një farë kohe problemet shoqërore dhe ekonomike duhen zgjidhur dhe nuk ka rëndësi nëse dikush është i veshur me uniformë apo rroba civile, njerëzit në pushtet duhet t’i zgjidhin këto probleme”, thotë analisti Labbad.

Analistët thonë se shtypja kundër një grupi mund të jetë e mundur, por në Egjiptin e gatshëm për protesta, ku në vitin 2011 u përmbys nga pushteti një udhëheqës shtypës dhe këtë vit u zhvilluan protesta masive kundër ish presidentit Morsi, përpjekjet për të shtypur një lëvizje më të madhe mund të jenë të vështira.
XS
SM
MD
LG