Lidhje

Egjipt, fillon gjyqi i ish presidentit Hosni Mubarak

  • Zëri Amerikës

Egjipt, fillon gjyqi i ish presidentit Hosni Mubarak

Egjipt, fillon gjyqi i ish presidentit Hosni Mubarak

Në Egjipt po zhvillohet gjyqi i ish presidentit Hosni Mubarak, gjashtë muaj pas përmbysjes nga një revolucion që zgjati 18-ditë me thirrjet për reforma demokratike. Në seancën dëgjimore në Kajro, zoti Mubarak mohoi prerë të gjitha akuzat kundër tij.

Gjatë procedurës zoti Mubarak qëndronte shtrirë në një shtrat spitali brenda një kafazi të madh të ngritur në pjesën e përparme të sallës ku ndodheshin të gjithë të pandehurit.

Ish-udhëheqësi egjiptian është akuzuar se ka dhënë urdhër për vrasjen e protestuesve anti-qeveritare gjatë revolucionit që e rrëzoi atë. Rreth 900 persona u vranë gjatë rebelimit.

Zoti Mubarak përballet me dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor. Ai është akuzuar gjithashtu për korrupsion, shpërdorim të pushtetit dhe të pasurisë publike.

Dy djemtë e tij, Alaa dhe Gamal, dolën gjithashtu në gjyq. Ata qëndronin pranë zotit Mubarak dhe i flisnin atij gjatë seancës. Të dy i mohuan akuzat kundër tyre.

Jashtë ndërtesës u mblodhën shumë njerëz të cilët ndiqnin punimet në një ekran të madh. Qindra policë ishin vendosur jashtë sallës, ku kundërshtarët dhe mbështetësit e zotit Mubarak gjuanin me gurë njëri-tjetrin.

Të pandehurit e tjerë, të cilët dolën po sot në gjyq përfshijnë ish-ministrin e brendshëm të zotit Mubarak, gjashtë shefave të policisë dhe një biznesmen i njohur i cili po gjykohet në mungesë.

Disa i njohin zotit Mubarak meritën se mbajti Egjiptin të qëndrueshën gjatë qeverisjes së tij 30-vjeçare. Por të tjerë thonë se stabiliteti erdhi me një çmim shumë të lartë.

83-vjeçari Mubarak e mori presidencën pas vrasjes së paraardhësit të tij, Anwar Sadat nga militantë të armatosur në vitin 1981.

Mubaraku ishte nënpresident i zotit Sadat dhe ndodhej pranë tij kur ai u qëllua për vdekje gjatë një paradë ushtarake në Kajro. Ndaj vetë zotit Mubarak janë bërë të paktën gjashtë atentate për ta vrarë.

Nën zotin Mubarak, Egjipti mbajti paqe me Izraelin dhe lidhje të ngushta me Perëndimin. Qeveria e tij ishte një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të çuar përpara procesin izraelito-palestinez të paqes. Ai gjithashtu fitoi mbështetjen e Perëndimit për goditjen e ekstremizmit islamik.

Por politikat e tij të brendshme shkaktuan zemërim te shumë njerëz. Ai mbajti në fuqi një ligj të gjendjes së jashtëzakonshme që kufizonte liritë themelore dhe i jepte policisë pushtet të plotë për të bërë arrestime. Anëtarët e Vëllazërisë Myslimane, grupi kryesor opozitar i Egjiptit, u përball me arrestime dhe burgosje të shpeshta.

Zemërimi u rrit edhe për shkak të nivelit të lartë të papunësisë dhe varfërisë.

Zoti Mubarak u detyrua të japë dorëheqjen më 11 shkurt pas shumë se dy javë protestash masive në Kajro dhe qytete të tjera.

XS
SM
MD
LG