Lidhje

Pas gjakderdhjes, egjiptianët betohen të vazhdojnë rezistencën


Pas përleshjeve që lanë dhjetëra vetë të vdekur, shumë rrugë të Kairos janë të mbushura me mbeturina dhe gazi lotësjellës ende ndjehet në ajër. Në një mjedis të sajuar si morg i kampit, një grup protestuesish janë mbledhur pranë trupave të vrarë, disa vajtojnë, të tjerët luten. Më shumë se 12 trupa janë vendosur në dysheme, të mbështjellë me çarçafë të bardhë. Vetëm këmbët u duken.

Ndërkaq në sallën kryesore të spitalit, turma i hap rrugën ekipit mjekësor që ka ardhur për të marrë trupat. Protestuesit brohorasin “Nuk ka Perëndi tjetër, përveç Zotit të Madh” ndërkohë që para tyre nxirren trupat e të vrarëve.

Një turmë mblidhet para spitalit. Gratë vajtojnë dhe u bërtasin gazetarëve që po xhirojnë ngjarjet. Kamerat nuk lejohen nga policia në anën tjetër të barrikadës.

Një burrë, i quajtur Yaser, thotë se u plagos dje në luftime. Ai thotë se trazirat filluan me përleshje mes përkrahësve të ish-presidentit Mohamed Morsi dhe përkrahësve të Shefit të Ushtrisë Abdel Fatah el-Sissi. Zoti Sissi, i cili tani ka deklaruar se po mban zotin Morsi nën arrest, ka kërkuar që partia Vëllazëria Myslimane të pajtohet politikisht me ushtrinë.

Javën e kaluar zoti Sissi bëri thirrje për protesta masive kundër asaj që e cilësoi si terrorizëm. Për shumë egjiptianë që dolën në protesta në Sheshin Tahrir, thirrja ishte sinonime me demonstrata kundër Vëllazërisë Myslimane.

Ndërkohë që turmat filluan të mblidhen në sheshin Tahrir të premten në mbrëmje, ky egjiptian i quajtur Gameel u shpreh se rrëzimi i zotit Morsi ishte vullneti i popullit pas protestave masive dhe nuk përbën grusht ushtarak shteti. Për Gameelin, armiku është Vëllazëria Myslimane.

Por në kampin e protestuesve që mbështesin zotin Morsi, zëdhënësi Mohamad Soltan thotë se zoti Sissi qëllimisht nxiti përkrahësit e tij të sulmonin mbështetësit e Morsit, megjithëse ata ishin të paarmatosur.

“Ata e quajnë luftë kundër terrorizmit. Por janë ata që po ushtrojnë terror. Ne po zhvillojmë protesta paqësore, ku njerëzit kanë ardhur të armatosur vetëm me zërat e trupat e tyre. Si mund të qëllosh në drejtim të tyre?”

Ai thotë se megjithëse shumë egjiptianë mendojnë se Morsi nuk përmbushi premtimet e tij për ta udhëhequr vendin në rrugën e demokracisë, egjiptianët ishin ata që ranë dakord për një qeveri demokratike dhe që e zgjodhën Morsin:

“Demokracia nuk funksionon kështu. Nuk ke të drejtën të zgjedhësh kur të rrëzosh një president. Duhet të presësh sa t’i përfundojë mandati”.

Egjiptianët kanë vazhduar protestat thuajse pa pushim që kur demonstratat masive i dhanë fund sundimit 30 vjeçar të Hosni Mubarakut në shkurt 2011. Por grupet aktiviste janë përçarë, aleancat janë shpërbërë dhe protestat rivale në pika të ndryshme të vendit kanë lënë mbi 100 të vdekur gjatë javëve të fundit.

Por në këtë kamp në Kairo protestuesit thonë se megjithë aktet e dhunës ditët e fundit, egjiptianët hoqën një diktator me demonstrata paqësore dhe preferojnë vdekjen se sa të ndalin protestat deri sa kërkesat e tyre të përmbushen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG