Lidhje

Egjipt, përleshje të reja mes policisë dhe protestuesve


Qindra përkrahës të presidentit të rrëzuar egjiptian Mohamed Morsi mbrëmë u përleshën me forcat e sigurisë në Kajro ndërkohë që bënin thirrje për rikthimin e tij në pushtet.

Policia hodhi gaz lotsjellës në drejtim të përkrahësve të zotit Morsi, të cilët u kundërpërgjigjën me hedhje të gurëve në drejtim të forcave të sigurisë.
Në një përpjekje për të ndërprerë trafikun, protestuesit pro-Morsi bllokuan sheshin Ramses dhe një urë në Kajro. Më pas forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

Vëllazëria Myslimane dhe mbështetës të tjerë të zotit Morsi kanë vazhduar protestat para xhamisë Rabia el-Adevije në Kajro, që ndodhet në lagjen që konsiderohet bastion i Vëllazërisë Myslimane.

Këto janë përleshjet e para në Kajro pas vrasjes se dhjetëra mbështetësve të zotit Morsi nga forcat e sigurisë një javë më parë. Udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane janë zotuar se do të intensifikojnë protestat e tyre.
Qindra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta të zhvilluara në qytete të tjera të Egjiptit, përfshirë Aleksandrinë.
Forcat e sigurisë po përpiqen të parandalojnë dhunën mes grupeve kundërshtare të protestuesve.

Dje më herët, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit William Burns u takua në Kajro me udhëheqësit e qeverisë së re ushtarake, një qeveri kalimtare e Egjiptit, ndërsa ajo vazhdon realizimin e një plani tranzicioni. Vëllazëria Myslimane dhe egjiptianë të tjerë vazhdojnë ta kundërshtojnë largimin nga pushteti të Presidentit Mohamed Morsi, 2 javë më parë.

Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, William Burns, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të përpiqen të imponojnë modelin e vet të demokracisë në Egjipt dhe se janë të mendimit se vetëm egjiptianët mund të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Ai është i pari zyrtar i lartë amerikan që viziton vendin pas largimit te zotit Morsi nga ushtria egjiptiane gati dy javë më parë.

“Mesazhi im ështe i thjeshtë: Shtetet e Bashkuara mbeten thellësisht të angazhuara ndaj suksesit demokratik të Egjiptit dhe begatinë e tij. Ne duam një Egjiptin të fortë, të qëndrueshëm, demokratik, gjithepërfshirës dhe tolerant”.

Ai u tha gazetarëve se në Egjipt nuk rrezikon të përsëritet tragjedia e Sirisë, sepse udhëheqësit egjiptianë i kuptojnë rreziqet e polarizimit të tepruar, duke shtuar se “kyçi i suksesit është sigurimi i ndjesisë së gjithëpërfshirjes në çdo fazë të tranzicionit politik.”

Departamenti i Shtetit tha se në të gjitha takimet e tij, zoti Burns do të nënvizojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për popullin egjiptian, përfundimin e dhunës dhe për një tranzicion demokratik gjithepërfshirës, i cili do të rezultojë me zgjedhjen e një qeverie civile demokratike.
XS
SM
MD
LG