Lidhje

Ligjvënësit reagojnë ndaj krizës në Egjipt

  • Michael Bowman

Ligjvënësit amerikanë po bëjnë thirrje për një përgjigje të matur ndaj situatës së trazuar në Egjipt. Senatori republikan Bob Corker thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përpiqen të luajnë një rol stabilizues përballë trazirave dhe paqartësive që janë shfaqur në Egjipt. Ai bëri komente në emisionin Fox News Sunday dje në televizion.

"Diçka ka ndodhur në Egjipt që do të provokojë shumë trazira për një periudhë kohe. Këto ngjarje kanë implikime edhe në pjesë të tjera të rajonit. Por Shtetet e Bashkuara për momentin duhet të bëjnë thirrje për qetësi, të nxisin ushtrinë të çojë përpara procesin civil sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Senatori Corker shtoi se nuk duhet të merren vendime të nxituara për të ardhmen e ndihmave amerikane për Egjiptin.

Po në komentet për televizionin Fox, Senatori demokrat Jack Reed, foli për nevojën e rikthimit të një regjimi demokratik sa më parë që të jetë e mundur.

"Ne duhet të jemi forcë stabiliteti dhe përkrahjeje për një tranzicion të shpejtë drejt një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ushtria duhet ta bëjë të qartë afatin kohor të tranzicionit dhe të marrin veprime gjithë-përfshirëse. Një ndër problemet e Presidentit Morsi ishte se ai po anonte gjithnjë e më shumë nga një regjim autoritar dhe i izoluar”.

Ambasadori i Egjiptit në Shtetet e Bashkuara Mohamed Tawfik, hodhi poshtë interpretimet se vendi i tij ka përjetuar një grusht ushtarak shteti:

"Ajo që ndodhi është se populli egjiptian vendosi se Presidenti Morsi nuk kishte vepruar gjatë vitit të tij në Presidencë si president i të gjithë egjiptianëve. 22 milionë egjiptianë nënshkruan një peticion për zgjedhje të parakohëshme. Këshilla ime për Vëllazërinë Myslimane është që të pranojnë gabimet që kanë bërë dhe të bashkohen me procesin politik. Tani duhet të hedhim vështrimin nga e ardhmja”.

Ambasadori i bëri komentet në emisionin This Week të rrjetit ABC. Po në këtë emision foli edhe ish-presidenti George W. Bush, i cili tha se demokracia kërkon kohë për të hedhur rrënjë. Zoti Bush tha se Pranvera Arabe do të jape fryte si për Lindjen e Mesme ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara në periudhën afat-gjatë.
XS
SM
MD
LG