Lidhje

E ardhmja e ndihmës perëndimore për Egjiptin

  • Al Pessin

Bashkimi Evropian ndërpret shitjen e prodhimeve ushtarake; diskutimi për të ardhmen e ndihmës humanitare dhe ekonomike vazhdon

Bashkimi Evropian ka ndërprerë shitjen e atyre prodhimeve ushtarake për Egjiptin që mendohet se mund të përdoren për shtypjen e protestave. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë ndërprerjen e ndihmës ushtarake nga ana e tyre që i dërgohet Egjiptit me vlerë prej 1,3 miliardë dollarësh në vit. Por asnjëra nga palët nuk do të ndërpresë ndihmën ekonomike apo humanitare dhe qeveria e përkohshme e Egjiptit, e vendosur në pushtet nga ushtria, nuk duket e shqetësuar.

Zyrtarët në Uashington dhe në kryeqytetet Evropiane po përpiqen të përcaktojnë qëndrimin e tyre si përgjigje ndaj rrëzimit të qeverisë së Egjiptit nga ushtria, dhe sulmet e qeverisë së përkohshme ndaj kundërshtarëve të tyre. Dilema është nëse perëndimi duhet të ndërpresin ndihmën apo të vazhdojnë të dërgojë fondet e premtuara si një mënyrë për të patur sadopak ndikim tek udhëheqësit e rinj të vendit.
Evropianët arritën pjesërisht në një vendim të mërkurën, kur ranë dakort që të ndalojnë shitjen e prodhimeve ushtarake por jo ndërprerjen e ndihmës humanitare.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të konsiderojnë se çfarë vendimi do të marrin për ndihmat e tyre. Egjipti ka nevojë për ndihmën amerikane për armatimet e tyre të sofistikuara, të cilat janë kryesisht të prodhuara në Amerikë. Por eksperti për Egjiptin, John Chalcraft në universitetin “Shkolla Ekonomike e Londrës”, thotë se ndihma ushtarake amerikane për Egjiptin ka një kontekst më të gjerë.

“Është një lëvizje strategjike, sepse i dërgohet Egjiptit si shpërblim, mbi të gjitha, për vazhdimësinë e Traktatit të Paqes të Camp Davidit me Izraelin. Kështu që, rëndësia e ndihmës është politike dhe gjeopolitike, më tepër se ekonomike.”

Asnjë nuk pret që Egjipti t’i rikthehet luftës me Izraelin nëse ndihma amerikane do të ndërpritet, por zoti Chalcraft thotë se pasiguri të reja mund të përhapen në këtë rajon plot trazira.

Ndihma ekonomike është më e vogël se sa i kanë dhënë qeveritë simpatizante të Arabisë Saudite, Kuvajtit, dhe Emirateve të Bashkuara Arabe qeverisë së përkohshme egjiptiane– rreth 12 miliardë dollarë, sipas zëvendës drejtorit të Qendrës Ahram për Studimet Politike dhe Strategjike të Kairos, Magdy Sobhi.

“Kjo ndihmë është jetike për faktin se qeverisë i krijon kushtet të funksionojë pa qënë e shqetësuar për burimet me të cilat do të blihen artikujt e nevojshëm.”

Tashmë qeveria e përkohshme u ka siguruar banorëve më shumë furnizime për artikujt e nevojshëm, si për shembull karburant, se sa kishte mundësi t’u siguronte qeveria e mëparshme. Dhe ministri i përkohshëm i financave Ahmed Galal u tha gazetarëve se ai nuk është i shqetësuar rreth mundësisë së ndërprerjes të ndihmës nga Perëndimi.

“Ajo që po ndodh është se ne mbase, po humbasim fonde nga disa vende, por po marrim nga të tjera, madje edhe më shumë. Kështu që, deri diku, jemi në rregull.”

Muajin e kaluar ushtria e Egjiptit rrëzoi presidentin e vetëm të zgjedhur në mënyrë demokratike në historinë e gjatë të këtij vendit, dhe javën e kaluar sulmoi me forcë opozitën, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 1,000 civilëve.

Por ndërkohë që vendet perëndimore diskutojnë rreth përkeqësimit, të paktën të përkohshëm, të demokracisë, ushtria dhe qeveria e Egjiptit po siguron mbështetje të konsiderueshme nga populli egjiptian dhe udhëheqësit kryesorë rajonalë.
E përbashkët e tyre është kundërshtimi ndaj Vëllazërisë Myslimane, lëvizjes konservatore islamike globale, e cila ishte në themel të karrierës së presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi dhe që vazhdon t’i sigurojë atij bazën mbështetëse.

Perëndimi nuk është se e mbështet Vëllazërinë Myslimane, por mospëlqimin ndaj saj, i duhet ta vërë në balancë me rrëzimimin e qeverive nga ushtritë dhe me aktin e papranueshëm të ndërhyrjes së përgjakshme ndaj civilëve. Ky qëndrimi komplikohet më tej, pasi vendet perëndimore, po e kuptojnë se mjeti i tyre kryesor për të ndikuar tek udhëheqja egjiptianë, ndihmat financiare, nuk janë një mjet aq i fortë sa kishin menduar.
XS
SM
MD
LG