Lidhje

Ndihmat saudite minojnë përpjekjet e SHBA në Egjipt


Shpresa e Uashingtonit për të përdorur ndihmën për të ndikuar në Egjipt mund të minohet nga ndihmat e sauditëve

Administrata e presidentit Obama po rishikon ndihmat ushtarake për qeverinë ushtarake të Egjiptit, duke shpresuar që ta përdorë këtë ndihmë për të ndikuar tek zhvillimet atje. Por kjo përpjekje mund të minohet nga premtimet e Arabisë Saudite për të kompensuar çdo boshëllëk financiar të shkaktuar nga ndërprerja e ndihmës së Perëndimit.

Zemërimi mbi ndihmën amerikane ndaj ushtrisë së Egjiptit është përhapur nga Indonezia ...

...deri në Uashington, ku egjiptiano-amerikanët protestuan jashtë ambasadës së Egjiptit.

“Unë dua q
ë Presidenti Obama të bëjë minimumin, të pranojnë se kemi të bëjmë me një grusht shteti, të pranojë shkeljet e të drejtave të njeriut që ende po vazhdojnë të ndodhin atje. Nuk duhet veprojë sikur nuk po ndodh asgjë e gabuar. Ai nuk e ka ndalur ndihmën për Egjiptin”.

Shtetet e Bashkuara i japin Egjiptit 1,3 miliardë dollarë në vit në ndihma ushtarake.

Kundërshtarët e presidentit thonë se mosndërprerja e ndihmës dobëson udhëheqjen amerikane. John Mccain është senator republikan.

“Shtetet e Bashkuara kanë ndikim atje. Por në qoftë se Shtetet e Bashkuara nuk e përdorin këtë ndikim, atëherë do ta humbasin atë. Deri tani, Shtetet e Bashkuara u kanë dërguar mesazhe të ndryshme njerëzve të cilët kanë shkaktuar rrëmujë në rrugët e Kajros dhe Egjiptit”.

Kërcënimet për ndërprerjen e ndihmës amerikane mund të minohen nga premtimi i Arabisë Saudite për të mbuluar humbjet nga ky veprim. Riadi ka thënë se do të mbështes përpjekjet e Egjiptit kundër terrorizmit, duke iu referuar Vëllazërisë Myslimane. Riadi kundërshton ata që janë duke u përpjekur të ndërhyjnë në punët e e brendshme të Egjiptit. Saud al-Faisal është Ministër i Jashtëm i Arabisë Saudite.

“Nuk mendoj se presioni mbi Egjiptin do të funksionojë ose të ndihmojë në rivendosjen e paqes dhe sigurisë kombëtare”.

Arabia Saudite po ndërhyn për të ndihmuar ushtrinë e Egjiptit, sepse Shtetet e Bashkuara nuk po e bëjnë këtë, thotë ish ambasadori amerikan Adam Ereli.

“Ata shohin dy gjëra: mungesën e rolit udhëheqës amerikan dhe mungesën e një qëndrimi konstant nga Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Ereli thotë se udhëheqësit sauditë po reagojnë ndaj shpejtësisë me të cilën Shtetet e Bashkuara braktisën aleatin e tyre të një periudhe të gjatë, ish presidentin egjiptian Hosni Mubarak.

“Monarkët në Lindjen e Mesme, që janë aleatë të Amerikës, janë të shqetësuar nga vendimi i Amerikës për të hequr dorë nga aleati i tyre Hosni Mubarak. Ata kanë frikë se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të njejtën gjë edhe ndaj tyre”.

Zyrtarët amerikanë thonë se Uashingtoni do të marrë vendimin për ndihmat për Egjiptin në bazë të interesave të sigurisë së tij kombëtare.

“Ne kemi punuar me një numër të madh partnerësh rajonalë të cilët kanë mbështetur palë të ndryshme ose të dyja palët në Egjipt dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, por vendimet tona ne i marrim duke u bazuar në interesat tona të sigurisë kombëtare dhe shqetësimet tona rreth stabilitetit rajonal”, thotë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.

Ministri egjiptian i Financave Ahmed Galal tha se mbështetja saudite e mbron Kajron nga ndërprerja e mundshme e ndihmës amerikane, megjithëse sipas disa njoftimeve të medias, Egjipti nuk do të jetë në gjendje të blejë armë apo pajisje ushtarake amerikane me paratë e Arabisë Saudite, sepse Uashingtoni do ta bllokonte një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG