Lidhje

Egjipt: Nënpresidenti zhvillon bisedime të pazakonta me opozitën


Egjipt: Nënpresidenti zhvillon bisedime të pazakonta me opozitën
Egjipt: Nënpresidenti zhvillon bisedime të pazakonta me opozitën

Nënpresidenti i Egjiptit, Omar Sulejman zhvilloi sot bisedime të pazakonta me grupin më të madh të opozitës, Vëllazërimi Mysliman dhe me fraksione të tjera politike, në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje kryengritjes popullore dy javëshe kundër qeverisë.

Nënpresidenti Sulejman u takua sot me përfaqësuesit e opozitës dhe me figura politike të pavarura. Ai i bëri disa lëshime në bisedime përfaqësuesve të Vëllazërimit Mysliman, Mohamed Mursi dhe partive të tjera laike, si dhe disa figurave politike, duke u bërë thirrje të studjojnë amendamentet e propozuara kushtetuese, se kush mund të kandidojë për postin e presidentit.

Qeveria egjiptiane ra dakord të mos ushtrojë trysni ndaj mediave dhe fjalës së lirë. Po ashtu, qeveria ra dakord t’i shfuqizojë ligjet për sigurinë në rastet e emergjencës, në varësi të gjendjes së sigurisë në vend.

Ndërkohë edhe sot, për të trembëdhjetën ditë me radhë, mijëra portestues anti-qeveritarë qëndruan në sheshin Tahriri të Kairos, duke u zotuar se do t’i vazhdojnë protestat derisa zoti Mubarak të japë dorëheqjen, duke mos iu përgjigjur thirrjes së qeverisë për t’u larguar nga rrugët dhe për t’iu kthyer punës.

Shumë nga protestuesit kanë thënë se druhen se mos qeveria përpiqet ta qetësojë lëvizjen e tyre, duke ndërmarrë reforma demokratike sipërfaqësore.

Zoti Mubarak ka premtuar se do të largohet nga pushteti pas zgjedhjeve presidenciale në shtator.

Në një tjetër sprapsje për shkak të protestave, dje dhanë dorëheqjen anëtarët e komitetit drejtues të Partisë Demokratike Kombëtare, mes tyre edhe djali i zotit Mubarak, Gamal. Por kryetar i partisë vazhdon të jetë zoti Mubarak.

XS
SM
MD
LG