Lidhje

Përleshje të reja në Egjipt, dhjetëra të vrarë


Dhjetëra mijëra mbështetës të Vëllazërisë Myslimane dolën në rrugë, duke sfiduar gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur nga qeveria

Njoftimet e lajmeve bëjnë të ditura se disa dhjetëra njerëz janë vrarë në Egjipt sot, ku forcat e sigurisë po sulmojnë protestuesit të cilët po mbajnë një "ditë zemërimi" në kundërshtim të hapur me gjendjen e jashtëzakonshme të imponuar nga qeveria e përkohëshme.

Luftimet e ashpra mes demonstruesve dhe forcave ushtarake në Sheshin Ramses të Kairos kanë lënë të paktën 32 njerëz të vdekur. Helikopterë ushtarakë fluturonin mbi shesh.

Shifrat nga zyrtarët qeveritarë dhe dëshmitarët okularë flasin për mbi 40 persona të vrarë nëpër Egjipt, përfshirë edhe policë.

Dhjetëra mijëra mbështetës të Vëllazërisë myslimane dolën sot në rrugët e Kajros dhe qyteteve të tjera egjiptiane, duke sfiduar gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur nga qeveria e përkohshme.

Protestuesit vërshuan nga xhamitë pas lutjeve të së premtes, duke iu përgjigjur thirrjes së Vëllazërisë Myslimane për të shprehur indinjatë dy ditë pas dhunës që la 638 të vrarë.

Qeveria ka autorizuar përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj protestuesve që vënë në shënjestër policinë dhe institucionet shtetërore, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje të dyja palëve në Egjipt të tregojnë përmbajtje dhe t'u japin fund trazirave që kanë përfshirë vendin.

Në qytetin verior Tanta si dhe në Aleksandri, qyteti i dytë më të madh i Egjiptit, pati përleshje mes policisë dhe mbështetësve të Vëllazërisë. Televizioni shtetëror njoftoi gjithashtu se një polic u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga persona të armatosur në një postbllok në periferi të kryeqytetit.

Ushtria mbylli Sheshin Tahrir të Kajros në përpjekje për të parandaluar protestat e mbështetësve të presidentit të rrëzuar Mohammed Morsi.

Ushtarët ngritën barrikada dhe ndaluan automjetet apo këmbësorët të hyjnë në shesh.

Ndërkohë, forcat egjiptiane të sigurisë kanë vendosur transportues të blinduar dhe ushtarë për të vëzhguar situatën dhe për të frenuar dhunën.

Incidentet e sotme erdhën pas një nate të dytë ndalim-qarkullimi në qytetet e mëdha, duke përfshirë Kajron, ku dhuna e ditëve të fundit la disa qindra të vdekur.

"Shumë njerëz që protestonin u larguan pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, duke lënë pas shumë armë. Prandaj në rrugë ka më shumë siguri. Sigurisht, ne jemi dëmtuar sepse dyqanet janë mbyllur por këto janë kohë të jashtëzakonshme. Pra, nëse pas një ose dy muajsh ne rihapim dyqanet dhe nuk ka terrorizëm apo plaçkitje, atëherë të gjithë jemi për ndalimqarkullimin," thotë një banor i Kajros

Ndërhyrja e ushtrisë kundër protestuesve, e cila ka ngjallur debate, bëri që Presidenti Barak Obama të anulonte manovrat ushtarake me Egjiptin të planifikuara për muajin e ardhshëm, një ngjarje që në Egjipt pritet gjithmonë me padurim.

"Bashkëpunimi ynë tradicional nuk mund të vazhdojë si zakonisht kur civilët vriten në rrugë dhe kur shkelen të drejtat," tha Presidenti Obama.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi gjithashtu dhunën në Egjipt.

Ministri i Brendshëm i Përkohshëm i Egjiptit Mohamed Ibrahim ka fajësuar Vëllazërinë për krijimin e një gjendjeje kaosi në të gjithë vendin duke hapur zjarr ndaj policisë, duke sulmuar ndërtesat qeveritare dhe djegur kishat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG