Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Egjipt


Udhëheqësit e përkohshëm të Egjiptit po vazhdojnë tranzicionin politik, dy javë pasi ushtria rrëzoi nga pushteti Presidentin Mohamed Morsi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Washington, André de Nesnera, i hedh një vështrim situatës dhe problemit në se SHBA mund të kenë ndikim tek zhvillimet në Egjipt:

Kabineti i përkohshëm i Egjiptit bëri betimin, por asnjeri nga 34 anëtarët e vet nuk ka lidhje me Vëllazërinë Myslimane, lëvizja që erdhi në pushtet pas zgjedhjes vitin e kaluar të Mohamed Morsit në postin e presidentit.

Më 3 korrik ushtria egjiptiane largoi nga pushteti udhëheqësin e zgjedhur në mënyrë demokratike, pasi miliona egjiptianë protestuan për 4 ditë me radhë ndaj mënyrës se si ai po drejtonte vendin.

Mirette Mabrouk, e Qendrës së Këshillit Atlantik Rafik Hariri për Lindjen e Mesme, thotë se zoti Morsi dhe qeveria e tij, ishin thjesht jo kompetentë.

“Vëllazëria bëri gabime të shumta për gjithshka. Ajo provoi se ishte e paaftë ta drejtonte vendin në një fazë shumë të vështirë. Si rezultat, presidenti u largua nga posti. Partia e tij, pas 80 vjetësh në opozitë, dhe duhet thënë, e persekutuar nga regjimi, dhe që papritur mori pushtetin, nuk ishte e aftë ta ruante atë.”

Vëllazëria Myslimane e konsideron të paligjshme qeverinë aktuale me mbështetjen e ushtrisë.

Administrata Obama po rishikon ndihmën ndaj Egjiptit pas ndërhyrjes së ushtrisë, ndërsa SHBA përcaktojnë me ligj ndërprerjen e ndihmave ndaj një vendi, “qeveria e të cilit e zgjedhur në mënyrë demokratike rrëzohet me grusht ushtarak shteti”.

Por zyrtarët amerikanë kanë hezituar ta cilësojnë “grusht shteti” atë që ndodhi në Egjipt.
Washingtoni i jep Egjiptit 1,3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit. Disa ligjvënës po bëjnë thirrje që t’i jepet fund kësaj ndihme.

Por ish eksperti i Departamentit amerikan të Shtetit, Aaron David Miller, thotë se kjo nuk është ide e mirë.

“Para së gjithash, ne i kemi dhënë ndihmë Egjiptit për tre dekada rresht, një regjimi që as që shtirej të ishte demokratik, një regjim që nuk mbante zgjedhje, ku nuk zhvilloheshin demonstrata popullore të këtij lloji; një regjim, që nuk ishte aspak i hapur dhe demokratik. Pra si mundet që tani, ndoshta në procesin e demokratizimit, kur ka patur zgjedhje dhe shprehje masive të vullnetit të popullit, ne t’ia ndërpresim ndihmën këtij vendi? Kjo nuk ka aspak logjik.”

Shumë ekspertë thonë se qeveria amerikane ka shumë pak ndikim tek zhvillimet në Egjipt.

Jeffrey Martini i Korporatës RAND, thotë se një arsye është se ndihma ekonomike e Shteteve të Bashkuara për Egjiptin është pakësuar gjatë viteve, pjesërisht në saje të rritjes ekonomike të vendit.

“Në mesin e viteve 1980, ndihma ekonomike e SHBA-së për Egjiptin ishte sa 7 për qind e ekonomisë egjiptiane - kjo bënte që SHBA të kishte mjaft ndikim. Sot, kjo shifër është 0, 7 për qind, pra ndihma është pakësuar dhjetëfish, krahasuar me ekonominë egjiptiane.”

Me ndikim, apo pa ndikim, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera besojnë se në Lindjen e Mesme nevojitet një Egjipt i qëndrueshëm politikisht.
Përsëri Mirette Mabrouk e Këshillit Atlantik:

“Vende të tjera varen nga Egjipti në aspektin kulturor, përsa i përket krahut të punës, apo udhëheqjes. Varësia e Israelit lidhet me një Egjipt të qëndrueshëm në kufirin e vet. Një Egjipt i qëndrueshëm dhe i begatë do të ishte faktor shumë i rëndësishëm për Lindjen e Mesme.”

Duke i hedhur një vështrim së ardhmes, analisti Mabrouk dhe të tjerë thonë se SHBA dhe vende të tjera duhet të mos ndërhyjnë dhe ta lenë të vazhdojë procesin e nisur në Egjipt.
XS
SM
MD
LG